Mjegulla, shkaku i aksidentit ajror të Kobe Bryant. Përplasje me 300 km/h

Nga A2 CNN
27 Janar 2020, 18:20 | Sporte të tjera

Mjegulla në Los Anxheles duket se ka qenë shkaku i aksidentit tragjik që i mori jetën 9 personave, mes të cilëve legjenda e NBA, Kobe Bryant dhe vajza e tij 13-vjeçare, Gianna.

Autoritetet lokale në Kaliforni dhanë detaje rreth rënies së helikopterit, duke theksuar se shikueshmëria ishte shumë e ulët. Ndërsa e gjithë bota është e prekur nga aksidenti fatal, hetuesit vazhdojnë të punojnë për të zbardhur shkaqet. Nëse fillimisht u dyshua rreth problemeve mekanike të helikopterit, me kalimin e orëve kjo hipotezë ra poshtë.

Mjegulla e dendur ka bërë që piloti të mos ishte i vetëdijshëm rreth rrezikut që u kanosej. Këtë e konfirmon edhe biseda e fundit në radio me kullën e kontrollit, ku vetëm pak çaste përpara se helikopteri të zhdukej nga radarët, operatori e paralajmëronte pilotin se po fluturonte në kuotë shumë të ulët. 

Mjeti fluturues u përplas në një kodër afro 500 metër të lartë, teksa udhëtonte me shpejtësi 300 km/h dhe po zbriste me mbi 1200 metër në minutë.

Autoritetet konfirmuan edhe emrat e 9 viktimave, ku përveç Kobe Bryant dhe vajzës së tij, në helikopter ishte edhe John Altobelli, trajner bejzbolli i Orange Coast College, me të bijën Alyssa dhe bashkëshorten Keri.

Për shkaqet e aksidentit ka nisur hetimet edhe FBI, së bashku me autoritetet federale të aviacionit dhe entin kombëtar për sigurinë në transport. Pas dhjetë ditësh pritet të publikohet raporti paraprak për shkaqet e aksidentit, ndërsa për raportin me detajet e plota mund të nevojitet deri në një vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos