
Ushtria ukrainase ka shënjestruar vendqëndrimin kryesor të grupit paramilitar Wagner në lindje të vendit.
Sulmi ndaj mercenarëve të rrezikshëm rusë në Popasna u raportua nga guvernatori i Luhanskut dhe disa reporterë lufte pro Kremlinit. Numri i viktimave apo të plagosurve nuk është i qartë dhe nuk ka ende një informacion zyrtar.
Grupi Wagner shpeshherë është akuzuar për krime lufte, ndërsa mercenarët e tij janë angazhuar në misione të fshehta në Krime në 2014-ën, në Siri, Libi, Mali dhe Republikën e Afrikës Qëndrore. Kremlini nuk ka pranuar asnjëherë ekzistencën e tyre, por inteligjenca perëndimore e lidh këtë grupim me njerëz shumë pranë presidentit rus, Vladimir Putin.
Edhe Moska nga ana e saj pretendon se ka shënjestruar mercenarët të huaj që luftojnë për Ukrainën. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në një sulm në Kharkiv janë vrarë mbi 100 luftëtarë me origjinë nga Polonia dhe Gjermania.
E teksa përplasjet dhe luftimet vazhdojnë, Kremlini duket se nuk ka hequr dorë nga synimet kryesore. Qeveria britanike konfirmon se Rusia po punon për të mbajtur në referendum në Donjeck, duke kërkuar aneksimin e këtij rajoni të Ukrainës, një përsëritje e skenarit të përdorur me Krimenë.
Lideri i Donjeckut, Denis Pushilin, pro Moskës tha disa ditë më parë se data për referendumit për aderimin në Federatën Ruse do të bëhet e ditur pas çlirimit të plotë të territorit. (A2 Televizion)