Moska njoftoi reduktim të sulmeve, Ukraina dhe Perëndimi skeptikë: Nuk e besojmë derisa ta shohim

Nga A2 CNN
30 Mars 2022, 11:57 | Aktualitet
Moska njoftoi reduktim të sulmeve, Ukraina dhe Perëndimi

Ukraina dhe Perëndimi i mirëpritën sinjalet pozitive në takimin e parë mes delegacioneve të Moskës dhe Kievit në Stamboll, ku Rusia u angazhua të reduktojë drastikisht sulmet rreth rajonit të Kievit dhe Chernihivit.

Por, ka skepticizëm lidhur me gatishmërinë e Rusisë për të zbutur tensionet. Shefi i shtabit të Forcave të Armatosura të Ukrainës dyshon se synimi i Moskës mund të çorientojë opinionin, dhe se largimi i vërejtur i trupave nga Kievi dhe Chernihivi mund të nënkuptojë në fakt një rotacion të njësive ose ripozicionim të trupave në zonat lindore.  

Rusia e ka thënë më herët se do të fokusojë operacionin ushtarak në rajonin e Donbasit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski pranoi sinjalet pozitive në bisedime, por tha se nuk i besonte Moskës: “Po, mund t’i quajmë pozitive sinjalet që morëm nga negociatat në Stamboll. Por, këto sinjale nuk i zhdukin goditjet e predhave ruse. Sigurisht që ne shohim të gjitha rreziqet. Nuk shohim arsye për të besuar fjalët e përfaqësuesve të një shteti që vazhdon të luftojë për shkatërrimin tonë. Ukrainasit nuk janë njerëz naivë. Ukrainasit kanë mësuar tashmë gjatë këtyre 34 ditëve të pushtimit dhe 8 viteve të luftës në Donbas se vetëm një rezultat konkret mund të besohet”.

Fjalët e Zelenskit ishin në një linjë me qëndrimin e zyrtarëve në Shtetet e Bashkuara. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthoni Blinken, tha se nuk kishte sinjale për angazhim serioz të Rusisë në bisedimet për t’i dhënë fund luftës, ndërsa zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, paralajmëroi se kërcënimi ndaj Kievit mbetej i lartë pavarësisht largimit të disa trupave dhe theksoi se nuk duhet të gënjehen nga fjalët e Moskës. Gjatë një bisede telefonike lidhur me zhvillimet në Stamboll, Presidenti Joe Biden dhe lideret perëndimorë u dakordësuan të mos e ulin trysninë ndaj Moskës dhe thanë se do të prisnin të shihnin nëse fjalët do të përktheheshin në vepra. 

“Do të shohim nëse Rusia do të bëjë atë që thotë. Unë nuk besoj asgjë derisa të shoh veprat”, tha Biden. 

E ndërsa e gjithë bota pret të shohë sinjale të zbutjes së luftës, sirenat u dëgjuan sërish në Kiev në orët e para të së mërkurës, pak orë pas njoftimit të Moskës për tërheqjen e disa trupave. Edhe autoritetet në Chernihiv thonë se deri më tani nuk kanë parë reduktim të sulmeve nga trupat e Vladimir Putin.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos