
Çdo ditë, para orës 06:00 të mëngjesit, blegtorët e fshatrave të Fierit, pas mjeljes së bagëtive, presin përpara shtëpisë së tyre mjetet e grumbullimit të qumështit.
Dukshëm, sasia e dorëzuar e qumështit është e vogël dhe blegtorët shesin me kova apo bidonë uji. Furgoni i kompanisë përpunuese të qumështit nuk është frigoriferik. Mbledhja e qumështit shpesh kryhet me kova plastike të papërshtatshme, si kova boje apo enë të tjera plastike njëpërdorimshme.
Më pas, qumështi hidhet në fuçi sërish plastike, qofshin këto edhe ushqimore. Pasi ka bërë xhiron e përditshme nëpër fshatra, furgoni drejtohet për të dorëzuar qumështin te pika e grumbullimit. Puna e tij mbyllet këtu, por ndërkaq janë shkelur standardet e sigurisë ushqimore për një produkt kaq delikat si qumështi në këtë proces të parë.
Për të grumbulluar qumështin, shpesh fabrikat e përpunimit tentojnë të ulin kostot duke mos përdorur enë inoksi apo qelqi. Ligjërisht plastika ushqimore është e lejuar për përdorim, por nuk rezulton të jetë vërtetuar nëse afatet e përdorimit zbatohen sipas normave të degradimit të plastikës.
Siguria ushqimore e qumështit duhet të zbatohet që në zanafillën e procesit, nga ferma dhe blegtori. Por këtu shfaqen edhe mangësi serioze në zbatimin e një sërë standardesh.
Kjo situatë pasqyrohet në vështirësi për gjetjen e lëndës së parë për fabrikat e përpunimit të qumështit.
Kështu, cenimi i sigurisë ushqimore ndikohet nga informaliteti i lartë i blegtorëve, çka vështirëson punën e institucioneve për kontrolle.
Përpos mjeteve primitive, të pasigurta dhe toksike të përfshira në prodhimin dhe grumbullimin e qumështit, siguria ushqimore cenohet edhe në të ashtuquajturat baxho sezonale.
Për të kuptuar sesi funksionon puna në baxho dhe si kryhet përpunimi i qumështit, ekipi i A2 iu drejtua një subjekti në Çermë të Lushnje.
Roza Basho është kimiste ushqimore, e cila pas mbërritjes së qumështit nga fermerët, ka përgjegjësinë e nisjes së përpunimit të lëndës së parë.
Gjurmueshmëria e mastiteve është një nga elementet bazë të sigurisë së qumështit. Mastiti është infeksion i gjirit, kryesisht me shkaktarë bakterialë, i cili është ndër sëmundjet më të përhapura që prekin lopët dhe të imtat.
Nëse një fermer tregohet i pakujdesshëm dhe një baxho nuk ka aparaturat e duhura të dedektimit, atëherë i gjithë produkti do të dalë me një ngarkesë të lartë bakteriale.
Në këto inspektime topi kalon më fushën e institucioneve. Për të ulur ngarkesën bakteriale baxhot përdorin një tjetër hile: kripën.
Specifikisht djathi ka disa parametra të evidentuara në kartën teknologjike ushqimore, por që për të dalë sa më herët në treg, disa baxho e shkelin kohën e maturimit të produktit.
Cenimi i sigurisë ushqimore shfaqet edhe në një tjetër hallkë, në importin e qumështit. Në vitin 2021, Shqipëria importoi 5.2 miliardë lekë qumësht i papërpunuar nga Serbia, krahasuar me 4,7 miliardë lekë në vitin 2019. Kjo është sasia më e lartë në 10 vitet e fundit e importit të qumështit. Duke mos siguruar dot lëndën e parë nga blegtori vendas, fabrikat shqiptare i drejtohen tregut rajonal të bulmetit. Këtu evidentohen probleme me specifikimin e origjinës së qumështit të përdorur.
Ky mosdeklarim, sipas biotekologut Sulaj, ndikon drejtpërdrejt në sigurinë ushqimore të qumështit dhe bulmetit që prodhohet nga ai.
Përballë këtij zinxhiri të gjatë për një produkt delikat si qumështi, rreziku shtrihet dhe shpaloset në mënyrë sistematike përgjatë gjithë industrisë së bulmetit, duke prekur edhe nënproduktet e ndryshme.
Në këtë mënyrë, rrezikohet konsumatori fundor, që shpesh i beson garancisë së një etikete, e cila megjithatë, nuk tregon gjithë biografinë e produktit të paketuar. (A2 Televizion)