
Të jemi sa më solidarë dhe të fokusohemi te njerëzit në nevojë. Këtë mesazh dha në studion e Ditari në A2 CNN kreu i komunitetit Mysliman Bujar Spahiu në ditën e parë të nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit.
“I uroj të gjithë besimtarëve një agjërim të lehtë dhe të pranuar dhe të na bëjë më të ndërgjegjshëm dhe të fokusohemi te njerëzit në nevojë sepse shpërblimet e Zotit janë më të shumta. T’u zgjasim dorën e solidaritetit njerëzve në nevojë dhe të jemi më dorëlëshuar”.
Ky është i dyti vit radhazi që besimtarët myslimanë kremtojnë muajin e Ramazanit në kushte pandemie. Kreu i Komunitetit Mysliman shpreson që ky të jetë viti i fundit në pandemi dhe tha se besimtarët janë familjarizuar me rregullat e pandemisë.
“Zoti na ka lehtësuar dhe shpresojmë që pas këtij Ramazani të vijë normaliteti dhe Zoti të na shpëtojë nga kjo pandemi dhe ky virus i rrezikshëm për jetën e njeriut. Jemi familjarizuar me rregullat e reja”. (A2 Televizion)