Muka: Nuk ka më vend për panik, po vret më shumë izolimi dhe vetmia sesa COVID-19

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2020, 21:44 | Bota
Muka: Nuk ka më vend për panik, po vret më shumë izolimi dhe

Numrat e pandemisë janë të larta në Europë si dhe në Shqipëri, por për epidemiologun, Taulant Muka, shifrat duhen parë me vëmendje dhe nuk ka vend për panik.

“Nuk është e thjeshtë të japësh një mendim për Shqipërinë, kur kemi të njëjtin numër në terapi intensive nga vera, ndërkohë që atëherë vdisnin 5 veta dhe tani 18. Por, nuk duhet të fokusohemi vetëm te COVID-i. Vera na tregoi se sipas numrave zyrtare kishte mbi 1300 persona që ndërruan jetë më shumë se në vitet e përparshme, ku vetëm 322 nga këto ishin për shkak të COVID-it. Pra virusi ka vrarë më pak se shkaqe të tjera”, thotë ai për A2.

Për këtë arsye, Muka vlerëson faktin që vendi nuk ndodhet i mbyllur si në mars. “Komiteti ndoshta ka mësuar nga gabimet e së kaluarës, duke u fokusuar në parametra të tjera shëndetësore dhe sociale, më vjen mirë që vendi nuk është në ''lockdown''. Izolimi dhe vetmia kanë shkaktuar më viktima sesa COVID-19”.  

Epidemiologu nuk beson se maskat kanë ose do të kenë ndonjë efekt mbi trendin në ulje të shifrave në vend, duke akuzuar se shpeshherë masat janë ''copy-paste'' e vendimeve të marra në vende dhe kontekste të ndryshme nga ai shqiptar.

Sipas tij, të dhënat e këtyre muajve tregojnë se vendi duhet të fokusohet te problemet e tjera, edhe shëndetësore, ndërkohë që COVID-19 duhet të trajtohet tashmë edhe në spitalet rajonale, padyshim me masat e nevojshme.      

Për sa i përket vaksinave, ato sipas tij janë të mirëpritura, por fton të bëhet vëmendje për rastet e ndryshme që paraqiten. “Mos të harrojmë efektet anësore afatgjata, që ende nuk janë studiuar. Dy persona të shëndetshëm nuk kanë arsye të marrin vaksinën, aq më shumë vaksinat e para në treg, ndërkohë që vaksinimi mund të rekomandohet për grupet në rrezik”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos