Kryeministri Edi Rama i ka akorduar liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, medaljen e mirënjohjes publike për kontributin e shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues dhe demokratik në Shqipëri. Në urdhrin e firmosur nga Rama, ndër të tjera, thuhet se kjo medalje i jepet edhe për frymën liberale në udhëheqje dhe tolerancën shembullore në momente tejet të vështira të politikës kombëtare dhe personale, si edhe për rolin vendimtar në përpjekjen shoqërore për të ardhmen e vendit.
Urdhri i Ramës vjen disa ditë pasi ish-kryeministri Fatos Nano është shtruar në spital për shkak të problemeve me mushkëritë. Krahas urdhrit, kreu i qeverisë shqiptare lutet për shërimin e tij dhe shpreh mirënjohjen për gjithçka të mirë që ai i dha vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme.
Fatos Nano është shtruar prej disa ditësh në një nga spitalet private në Tiranë. Ai ndodhet në reanimacion për shkak të problemeve me mushkëritë. Burime të sigurta nga spitali bëjnë të ditur për A2 CNN se gjendja e ish-kryeministrit është e rënduar.
Fatos Nano, 70 vjeç, ka qenë 3 herë Kryeministër i Shqipërisë, në periudhat 22 shkurt-5 qershor 1991, 25 korrik 1997-28 shtator 1998 dhe 31 korrik 2022-10 shtator 2005.



Postimi i Ramës:
“LUTEM PËR FATOS NANON
Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”. (A2 Televizion)