"Kritika nga ata që janë larguar", Balla: Nuk ka pasur rrjedhje të të dhënave nga TIMS

Nga A2 CNN
30 Gusht 2023, 13:50 | Politikë
"Kritika nga ata që janë larguar", Balla: Nuk ka pasur

Nuk ka pasur asnjë rrjedhje të të dhënave nga sistemi TIMS. Ka qenë kjo deklarata e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, në një dalje për mediat për komunikimin e vendimeve të marra nga qeveria në mbledhjen e sotme.

Sipas ministrit, në fakt bëhet fjalë për “kritika apo ankesa” të atyre punonjësve të policisë së shtetit që janë larguar nga ekipi i ri i ngritur për “pastrimin e strukturës.”

“Ata që janë larguar mund të kenë kritika, ankesa, mund të ngrenë dyshime për punën që po bëjnë ata që kanë marrë këtë detyrë. Asnjë e dhënë nga TIMS nuk ka rrjedhur.”

Ndërsa, sa i përket kallëzimit të bërë nga AMP në prokurori, Balla thotë se është bërë me kërkesë të tij, për të treguar transparencë.

Nuk ka kallëzim, unë kam kërkuar që të dhënat e disponuara nga AMP, të vlerësohen edhe nga ana e prokurorisë. Një standard i ri që do të vendoset në të gjitha strukturat e varësisë që unë kam nderin të drejtoj.”

Teksa u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, Balla theksoi se procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit sapo ka filluar dhe do të vijojë.

“Punonjës policie që tradhtojnë aksionet e policisë, do të jenë në zhdukje të vazhdueshme. Fijet që lidhin punonjës të caktuar të policisë së shtetit, me organizata kriminale, apo me tradhtimin e operacioneve të policisë, do të vijojnë të priten.”

Dhe ndërsa deklaroi se ky proces po i jep rezultatet e para, ministri i Brendshëm shtoi se hetime të tjera vijojnë të jenë në proces. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/08/22/shqetesim-i-shba-amp-kallezon-rrjedhjen-e-te-dhenave-te-tims/

A2 CNN Livestream

Latest Videos