“Mbrojti një vepër penale”, Berisha: Sterilizimi, biznes i Ramës. SPAK duhet ta anulojë

Nga A2 CNN
30 Gusht 2023, 12:40 | Politikë
“Mbrojti një vepër penale”, Berisha: Sterilizimi, biznes i

Kontrata koncesionare e sterilizimit është për opozitën afera e dytë më e madhe korruptive pas asaj të inceneratorëve. Sali Berisha vijoi denoncimin e saj duke e konsideruar vizitën e Edi Ramës në qendrën e Sterilizimit, si mbrojtjen e një vepre penale.

“Edi Rama provoi dje se ai me Beqjen e tij janë pronarët realë të vjedhjes së dytë të shekullit, sepse ai pas amnistimit të Beqjes nga SKAP i partisë, në një akt të pastër kriminal, rendi dje të mbrojë me inskenime dhe dëshmitarë të rremë, dhe statistika false, veprën e tij të rëndë penale, sterilizimin që ju ka kushtuar shqiptarëve gjer sot 79 milionë euro dhe që ka rritur me 80 herë çmimin e sterilizimit për njësi në vend dhe e ka bërë këtë proces 4 herë më të kushtueshëm se sa në Gjermani”, tha Berisha.

Lideri i rithemelimit renditi disa nene të Kodit të Procedurave Administrative që sipas tije bëjnë nul zbatimin e kontratës koncesionare, duke u ndalur te konflikti i interesit në hartimin dhe shpalljen e fituesit të saj. Këto nene janë të mjaftueshme për Berishën që kontrata të anulohet nga SPAK dhe paratë të kthehen mbrapsht.

“Duhej të ishte SKAP-i i partisë që të urdhëronte Edi Ramën dhe Ilir Beqajn, muratorin e tyre, të rikthenin paratë e vjedhura taksapaguesve shqiptarë. Por natyrisht Edi Rama dhe Ilir Beqaj nuk mund të kthejnë kurrë qoftë dhe një qindarkë. Ata po bëjnë gjithçka që të vazhdojnë vjedhjen e tyre. Janë qytetarët dhe vetëm qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë, ata që do u nxjerrin për hunde, paratë e vjedhura Edi Ramës dhe Beqës së tij”, tha Berisha.

Kontrata e sterilizimit është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme që ka lëshuar disa urdhërarreste mes të cilëve ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë dhe biznesmenin përfitues të saj, ndërsa në hetim është edhe ish-ministri Ilir Beqja. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/08/29/sterilizimi-ne-spak-rama-hetimi-nuk-cenon-suksesin-por-jep-siguri-qe-kush-ben-me-hile-shtetit-do-ndeshkohet/
https://a2news.com/2023/08/25/sterilizimi-ne-spak-rama-nje-nga-punet-me-te-bukura-qe-kemi-bere-kush-shkel-ligjin-do-ta-paguaje/
https://a2news.com/2023/08/20/nga-i-dashur-fra-tek-ciao-bello-afera-e-sterilizimit-zbardhen-e-mailet-mes-rjepajt-e-rrapajt/

A2 CNN Livestream

Latest Videos