
Një gjykatë në Rusi la në burg për 30 ditë liderin e opozitës dhe kritikun më të ashpër të Kremlinit, Alexei Navalny, për shkelje të dënimit me kusht, në një seancë që injoroi të gjitha thirrjet e vendeve perëndimore për ta liruar atë menjëherë.
Vendimi erdhi vetëm një ditë pasi Navalny u kthye në Moskë, pasi qëndroi përreth 5 muaj në Gjermani për t’u kuruar nga një helmim me agjent nervor Novichok, për të cilin ai akuzon shërbimet sekrete ruse.
Kombet e Bashkuara dhe vendet perëndimore reaguan menjëherë ditën e djeshme dhe i kërkuan Moskës zyrtare të mos e arrestonte Navalnyn pasi do të përballej me sanksione, por përgjigja e autoriteteve ruse ishte e prerë ndaj tyre “Merruni me punët e juaja”.
Gjatë marrjes së vendimit nga Gjykata, Navalny postoi një video në Twitter ku iu bënte thirrje qytetarëve të dilnin në rrugë dhe të protestonin, jo për të por për të ardhmen e tyre. (A2 Televizion)