
Një lajm i hidhur për botën letrare dhe politike shqiptare vjen nga ndarja nga jeta e shkrimtarit dhe politikanit Kiço Blushi.
I lindur në Korçë 75 vite më parë, Blushi ishte i njohur nga publiku i gjerë për skenarin e filmave si “Beni ecën vetë” dhe “Çifti i lumtur”, për të cilin ishte edhe bashkautor.
Pas rrëzimit të regjimit, Blushi iu dedikua aktivitetit politik, duke qenë një deputet me karrierë të gjatë, nga viti 1991 deri më 2006. Politikën e la pas dorëheqjes nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Televisionit.
Djali i tij është shkrimtari dhe politikani i njohur Ben Blushi.
Presidenti Ilir Meta e kujton në një postim në rrjetet sociale, ku “i pikëlluar” e cilëson Blushin si “një nga përfaqësuesit më të denjë të ‘Brezit 1970’: prozator, kineast, publicist dhe botues”. (A2 Televizion)