Për ndarjen nga jeta të deputetit socialist, Bashkim Fino, ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta. Në një postim në rrjetet sociale ai shprehet i tronditur për humbjen e politikanit, që u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare si pasojë e Covid-19.
“Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes.
Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë!
Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona!”, shkruan presidenti.

Ngushëllime për ndarjen nga jeta të deputetit socialist, Bashkim Fino, ka shprehur edhe ish-presidenti Bujar Nishani. Ai shprehet se “pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike, të gjithë ndihemi të pikëlluar”.
“Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve të ish-Kryeministrit Bashkim Fino !
Pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike që i përkasim, vlera njerëzore dhe dimensioni i dëshirës për të kontribuar për shtetin, për vendin, për Shqipërinë tonë, janë parimet më sublime. Kur këto parime humbasin dikë, të gjithë ndihemi të pikëlluar.
Pusho në paqe tashmë, Bashkim!” (A2 Televizion)