Ndërtimi i Skavicës, inxhinieri Bratko analizon në A2 CNN efektet pozitive dhe negative

Nga A2 CNN
18 Janar 2021, 09:54 | Aktualitet
Ndërtimi i Skavicës, inxhinieri Bratko analizon në A2 CNN efektet

Situata e përmbytjeve në vend, ndërtimi i HEC-eve dhe zgjidhjet e mundshme janë analizuar në studion e Ditari në A2 CNN me inxhinierin hidrolog, Dritan Bratko. Pak ditë më parë, kryeministri Rama deklaroi se ndërtimi i Hidrocentralit të Skavicës do të jetë shpëtimi i ultësirës së Shkodrës nga vërshimet e ujit.

Inxhinieri Bratko ka folur për efektet pozitive dhe negative të ndërtimit të Hec-it të Skavicës. Sipas tij, nga rezultati i studimit për Drinin u pa alternativa e mundësisë energjetike dhe përmirësimi nga përmbytjet. Efektet janë lokalë, thotë Bratko, dhe pozitive është që zona të kthehet në një pikë zhvillimi ekonomik, ndërsa negative janë shpronësimet.

“Kur bëhet një vlerësim projekti, bëhen analizat e risqeve, përfitimet dhe vlerësimi i alternativave që do të bëjë të mundur që të themi se njëra është më mirë se tjetra. Efektet pozitive janë lokale, po kështu edhe negativet. Pozitive për zonën ku ndërtohen, sepse do ketë gjallërim ekonomik për turizmin dhe agroturizmin dhe potencial punësimi dhe pas ndërtimit do ketë tjetër qasje për atë zonë. Fitimi është i madh nga energjia po aq do të jetë dhe nga turizmi se deri tani është zonë e vdekur. Efektet negative janë se do të shpronësohen disa prona që kanë efekt social e bujqësor, preken disa fshatra dhe për këtë duhet bërë një studim i mirë. Në aspektin ambiental ajo është për t’u parë dhe u mbetet specialistëve për të menaxhuar edhe risqet”.

Bratko sugjeron se kur ndërtohet skema energjetike në Shqipëri, duhet të kihen parasysh edhe efektet që jep në mjedis për t’i minimizuar ato. Sipas tij, duhet të mirëmbahen zonat e bonifikuara në mënyrë që të mos kthehen në këneta.

“Përmbytjet janë vetëm fillimi, se ne kemi të bonifikuar sistemin. Nëse ne nuk mirëmbajmë ato që janë bonifikuar të na kthehen në këneta dhe ne jemi pjesë e një efekti të tillë, se ne po ndërtojmë në kodra apo zona të bonifikuara si ultësira e Nënshkodrës. Deri tani, kaskada e Drinit po bën një punë shumë të mirë. Duhet të kemi patjetër një menaxhim shumë të mirë. Në Shqipëri, po mungojnë të gjitha gjërat, por duhet ngritur zëri më shumë dhe duhen bërë efektive gjërat. Ne duhet të ndërtojmë skemën enegjetike të Shqipërisë, por duke patur parasysh efektet që jep në mjedis të minimizojmë efektet në mjedis”.

Ndërtimet e digave thekson Bratko kanë ndikuar pozitivisht, por problem mbetet mungesa e ndërhyrjeve inxhinierike.

“Mungesa e ndërhyrjeve inxhinierike është problem se kemi neglizhencë në përzgjedhjen e inxhinierëve të zotë. HEC-et ndahen në dy kategori që derivojnë ujin dhe nuk krijojnë rezervë ujore dhe ato që derivojnë ujin me digë. Skema të tjera siç janë ndërtimet e digave me ujë rezervues si diga e Fanit ka ndikuar pozitivisht. Erzeni ka ndërtuar në pjesën e sipërme dhe ka ndikuar pozitivisht. Edhe skema e mbrojtjes nga lumenjtë në qytete është e njohur me prita ose rezervuar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos