Tirja e ''Shefqet Ndroqit", dyshime për "skemë zhvatjeje", prokuroria zgjeron hetimin

Nga A2 CNN
17 Janar 2021, 15:19 | Aktualitet
Tirja e ''Shefqet Ndroqit", dyshime për "skemë

Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar rrethin e hetimit të rastit të Tire Alldervishit, sanitares së spitalit “Shefqet Ndroqi”. Sanitarja dyshohet se duke u hequr si infermiere mori 8 milionë lekë të vjetër nga familjarja e një pacienteje me COVID, në këmbim të shërbimit mjekësor.

Për të provuar dyshimet se 58 vjeçarja nuk ka vepruar e vetme, por si pjesë e një skeme “zhvatjeje”, grupi i hetimit ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të spitalit. Përmes kqyrjes së tyre do të vërehen lëvizjet e sanitares 58-vjeçare në ditët kur ajo ka marrë shuma parash nga familjarja e pacientes, si dhe personat që ajo ka komunikuar apo kontaktuar.

Për llogari të hetimit është administruar edhe libri I shërbimit të spitalit, për identifikimin e personelit mjekësor në detyrë në të njëjtat turne me Alldervishin. Njëkohësisht është marrë kartela mjekësore e pacientes që ndërroi jetë, për të krahasuar nëse për të janë përdorur medikamentete, që familjarja e saj i ka blerë jashtë spitalit, sipas komunikimit me Tire Alldervishin.

Pas verifikimeve të para, prokurorët pritet të nisin marrjen e deklarimeve nga mjekë dhe infermierë, që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Prokuroria ngriti dyshime se sanitarja e “Shefqet Ndroqit” nuk vepronte e vetme, për shkak se në komunikimet e saj me denoncuesen, porosiste blerjen e medikamenteve jashtë spitalit edhe pse nuk kishte arsimin apo njohuritë përkatëse.

Nga dita e enjte, Tire Alldervishi qëndron në masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “mashtrimit”, më shumë se një herë, vepër që dënohet nga 10 në 20 vite burg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos