Policia e Fierit ka arrestuar dy shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve të qëllimshme në zonat e Divjakës dhe Mallakastrës.
Në Divjakë u vu në pranga 65-vjeçari K.A., banues në fshatin Korije, pasi ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në një tokë të marrë me qira, duke shkaktuar djegien e 170 rrënjëve ulliri në pronësi të një qytetari tjetër.
Në Mallakastër u arrestua 41-vjeçari P.J., banues në fshatin Belishovë, pasi ndezi zjarr për pastrim ferrash në tokën e tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe dogjën një sipërfaqe me shkurre.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Policia e Fierit u bën thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre, pasi do të ndëshkohen sipas ligjit. Çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie mund të denoncohet në numrin 112, me garanci për anonimat dhe reagim të menjëhershëm. (A2 Televizion)