Ndeshje me tifozë, plan masash në Gjermani, Itali e Angli

Nga A2 CNN
17 Korrik 2020, 16:29 | Futboll
Ndeshje me tifozë, plan masash në Gjermani, Itali e Angli

Koronavirusi detyroi stadiumet në të gjithë botën që të mbylleshin. Tashmë që emergjenca sanitare duket nën kontroll, ligat më të mëdha europiane po mendojnë të rikthejnë entuziazmin në stadiume.

Në Itali, ministri i Sporteve, Vincenzo Spadafora, njoftoi se po punohet së bashku me Federatën që të rihapen impiantet në Serinë A. Plani është që ndeshjet e sezonit të ri, të cilat do të nisin në shtator, të zhvillohen me tifozë, por duke garantuar maksimalisht shëndetin e sportistëve dhe spektatorëve.

Edhe Gjermania do të rikthejë publikun në tribuna prej sezonit të ri të Bundesligës. Me synimin për të rihapur stadiumet, Federata është gati që prezenca e tifozëve në ndeshjet e futbollit të lejohet edhe pjesërisht, qoftë edhe me gjysmë kapaciteti. Për shembull, në impiantin Olympiastadion të Berlinit, me kapacitet 70 mijë vende, ndeshjet mund të luhen me 37 mijë spektatorë.

Në Angli, lajmin e mirë e dha kryeministri britanik Boris Johnson. Ai njoftoi se qeveria po punon për rikthimin e tifozëve në stadiume, duke nisur prej muajit tetor. Gjithçka do të varet nga rezultati i testeve që do të zhvillohen prej datës 1 gusht në disa evente sportive dhe kulturore në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Premier League do të luhet pa tifozë vetëm në muajin e parë të sezonit 2020-21. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos