
Takimet e saj politike në Shqipëri, ndihmës sekretarja e Shtetit Karen Donfried, i nisi nga kryeministria, ku u shoqërua nga i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadorja Kim.
Detajet e diskutimit i dha kryeministri Rama, përmes një postimi në Facebook, ku nënvizoi mbështetjen për projektin e Ballkanit të Hapur.
“Diskutuam gjerësisht për ecurinë pozitive të reformave, forcimin e drejtësisë, investimet strategjike në energji, veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, situatën në rajon, si edhe për mbështetjen e plotë që Shtetet e Bashkuara i japin Ballkanit të Hapur. Konsideratat e Ndihmës Sekretares për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe në rajonin tonë ishin mbresëlënëse”, tha Rama.
Agjendën e saj, Donfried e vijoi vetëm pak metra më tutje, në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ku u takua me 3 përfaqësues të PD, Enkelejd Alibeajn, Jorida Tabakun dhe Gazment Bardhin.
Treshja e përzgjedhur nuk është rastësi por trashëgimtarët e linjës së Lulzim Bashës në PD dhe kundërshtues të Berishës.
“Duke parë mirë dhe situatën e vështirë që po kalon PD-ja. Mora mbështetjen e zonjës, për mbështetjen e fortë për një opozitë të fortë, të qëndrueshme. Një opozitë pro amerikane që sheh nga e ardhmja”.
Në përfundim të vizitës, Ambasada Amerikane nxori një njoftim në rrjetet sociale mbi mesazhet e përcjella nga Donfried në takimet me Ramën dhe ata që i cilëson si drejtues të opozitës.
“Ata rikonfirmuan mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi; mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon; dhe nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ata theksuan gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit dhe shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata”. (A2 Televizion)
Ambasada e SHBA