
Me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës së Vlorës, policia ka arrestuar pesë punonjës të Rojes Bregdetare të Forcës Detare në Vlorë.
Ata akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim. Ndalimi i tyre ka lidhje me ngjarjen e 8 janarit të këtij viti kur Roja Bregdetare Shqiptare shpëtoi me dhjetëra sirianë, të cilët ishin imbarkuar në një gomone me qëllimit trafikimin e tyre drejt Italisë.
Nga hetimet e kryera dhe kryesisht dëshmitë e klandestinëve, dyshohet se 5 efektivët e Rojes Bregdetare të arrestuar së fundmi, kanë lejuar qëllimisht largimin e drejtuesit të gomones.
Nga dosja hetimore rezulton se efektivët e Rojes Bregdetare gjatë operacionit të shpëtimit, pasi kanë marrë në anije drejtuesin e gomones së bashku me klandestinët, kanë lejuar hedhjen e tij në det, përpara se të mbërrinte policia. Ky veprim është lejuar prej tyre kundrejt një shpërblimi të konsiderueshëm. Në atë operacion, u ndaluan 47 sirianë, 7 iranianë dhe 1 shtetas egjiptian. (A2 Televizion)