
Deputetët e Partisë Demokratike duken të hapur ndaj propozimeve të partive të vogla që kërkojnë ndryshim të Kodit Zgjedhor.
Të pyetur nga A2 CNN, disa prej tyre pranuan nevojën e një reformë të thellë, por që duhet të bëhet nga Parlamenti dhe jo me mekanizma të tjerë, si referendumi i kërkuar nga propozuesit. Duke pranuar se Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk e ka përmbushur detyrën, deklarojnë se mbështesin çdo alternativë që bëhet për të përmirësuar sistemin dhe forcon garën.
“Sot ka një nevojë imediate për ta ndryshuar sistemin zgjedhor, mënyrën se si promovohesh, si përfshihesh në politikë, mënyrën se si zgjidhesh për të vendosur mekanizma më të fortë kontrolli. Ne që nga 2013 nuk kemi bërë asnjë ndryshim që lidhet me rekomandimet e OSBE, nuk ka funksionuar Komisioni i Reformës Zgjedhore”, tha Tabaku.
“Unë mbështes çdo kërkesë që e përmirëson sistemin zgjedhor. Kemi një sistem që e vuajnë qytetarët shqiptarë. Ne kemi një sistem sot, qoftë edhe standardi i zgjedhjeve që e kompromenton shumë çështjen e votimit në Shqipëri. Një reformë e thellë zgjedhore duhet, unë jam dakord, jam bashkëpunuese të gjithë kontributin tim do e vë në dispozicion”, tha u shpreh Dhurata Çupi.
Edhe për sa i përket debatit të hapur së fundmi për rritjen e kompetencave të presidentit, përmes ndryshimeve kushtetuese, ligjvënësit e Partisë Demokratike të paktën në parim shprehen
dakord. Me dëshirën e një balancimi të pushteteve, detajet e këtyre ndryshimeve, ndajnë qëndrimin përfundimtar pro apo kundër.
“Kam dëgjuar vetëm diskutime mediatike, por mendoj se duhet të ketë një kontroll dhe një balancë pushtetesh. Kemi një ekzekutiv që është i gjithëpushtetshëm, kemi një pushtet lokal që përsëri është nga e njëjta forcë politike dhe nuk kemi asnjë kontroll dhe asnjë balancë. Parlamentin ju e ndiqni
dhe në pjesën më të madhe e ka humbur vlerën. Gjykata Kushtetuese nuk e ushtron kontrollin që duhet dhe besoj që forcimi i rolit të Presidentit mund të ndikojë për ta përmirësuar këtë situatë”, tha Tabaku.
“Normalisht presidenti është zhveshur nga kompetencat, por pavarësisht kompetencave kur zgjidhet nga mazhoranca ai do jetë më shumë në funksion të mazhorancës”, tha Mziu.
“Nuk mund të them për momentin, duhet të shoh çfarë sugjerohet, çfarë alternative do ofrohet, kush e merr iniciativën. Në kuptimin e bashkëpunimit dhe dhe të diskutimeve, unë për çdo iniciativë jam bashkëpunuese. Nuk mund të them sot, çfarë do bëj unë dhe çfarë do firmos dhe çfarë do votojë”, tha Çupi.
Partitë e vogla javën e shkuar kanë prezantuar një paketë me ndryshime të Kodit Zgjedhor që prek jo vetëm sistemin zgjedhor, por edhe formulën e ndarjes së mandateve, që sipas tyre do të hapte garën. Propozuesit nuk dëshirojnë që gjithçka të vendoset nga forcat e mëdha në Parlament, por nga qytetarët përmes referendumit. (A2 Televizion)