Kishte luajtur edhe në Shqipëri... trajneri boshnjak ndërron jetë gjatë ndeshjes në Serbi

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2025, 10:52 | Futboll

Kishte luajtur edhe në Shqipëri... trajneri boshnjak ndërron

Futbolli serb është tronditur nga një ngjarje e rëndë që ndodhi të dielën në kampionati, ku trajneri i Radnicki 1923, Mladen Zizovic, humbi jetën në moshën 44-vjeçare pas një ataku kardiak gjatë ndeshjes ndaj Mladost.

Zizovic u rrëzua pranë vijës anësore në minutën e 22-të dhe stafi mjekësor ndërhyri menjëherë, përpara se trajneri të transportohej me urgjencë në spital. Ndeshja u pezullua përkohësisht dhe u rifillua vetëm pasi Zizovic u dërgua në qendër spitalore, shkruan A2 CNN. Por rreth 20 minuta pas rinisjes së lojës, lojtarët dhe stafi morën lajmin e tmerrshëm se trajneri kishte ndërruar jetë.

Kishte luajtur edhe në Shqipëri... trajneri boshnjak ndërron

Pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale treguan skena të dhimbshme, me futbollistët që shpërthenin në lot dhe mbështetnin njëri-tjetrin në fushë. Menjëherë pas kësaj, arbitri vendosi të ndërpriste përfundimisht ndeshjen.

Mladen Zizovic kishte marrë drejtimin e Radnicki 1923 vetëm më 23 tetor, duke drejtuar skuadrën në tre takime. Ai ishte ish-mesfushor boshnjak, i cili u tërhoq nga futbolli në vitin 2016 dhe kishte dy paraqitje me kombëtaren e Bosnjë-Hercegovinës. Gjatë karrierës së tij kishte luajtur gjithashtu në Shqipëri, konkretisht me Tiranën në sezonin 2010–2011, duke zhvilluar 14 takime dhe duke shënuar edhe 1 gol.

Kishte luajtur edhe në Shqipëri... trajneri boshnjak ndërron

Zizovic la pas tre fëmijë. Federata Serbe e Futbollit shprehu ngushëllime të thella, duke e cilësuar ndarjen nga jeta të Zizovic si “një humbje të jashtëzakonshme për komunitetin e futbollit”. “Pusho në paqe, Mladen. Dashuria jote për futbollin dhe trashëgimia që le pas do të mbetet përgjithmonë”, shkroi Federata Serbe.


A2 CNN Livestream

Latest Videos