Rrahman Rraja dorëzon zyrtarisht në Kuvend dorëheqjen nga mandati i deputetit

Nga A2 CNN
10 Korrik 2023, 09:55 | Politikë
Rrahman Rraja dorëzon zyrtarisht në Kuvend dorëheqjen nga mandati

Dy ditë pasi njoftoi largimin, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Rrahman Rraja ka dorëzuar, këtë të hënë, zyrtarisht në Kuvend, dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Kujtojmë se, të shtunën pasdite, Rraja njoftoi dorëheqjen dhe largimin përfundimisht nga politika për shkak të përfshirjes së djalit të tij Rexhep Rraja dhe familjarëve të tjerë të tij në terrorin brutal të ushtruar ndaj dy pjesëtarëve të fisit Maja, katër ditë më parë.

Sherri mes tyre nisi për shkak të gurores në Borizane, pasi fisi Maja ankohej se aktiviteti i saj i kishte dëmtuar banesat.

Palët u takuan në një lokal dhe fisi Rraja ushtroi dhunë brutale ndaj Majave duke i qëlluar ata me shkopinj bejsbolli. Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale shihet edhe vëllai i ish-deputetit me pistoletë në dorë.

“Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë keto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtesisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetesim kaq të madh publik që i shkaktova.”

Deklarata për media e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja

Policia deri më tani ka shoqëruar tetë persona dhe ka shpallur në kërkim gjashtë të tjerë për rrahjen brutale që iu bë dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja. Ndërsa në pranga ranë Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja.

Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rexhep Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i Rrahman Rrajës.

Sipas policisë, shkak i ngjarjes së rëndë është bërë një gurore në fshatin Borizanë në pronësi të Përparim Rrajës, i afërm i deputetit socialist i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për aktivitetin.

Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja kishin bërë denoncim në polici se shpërthimet gjatë punimeve në gurore kishin krijuar dëme materiale në banesat e tyre, por edhe shqetësime. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/08/dhunimi-i-kusherinjve-maja-rrahman-rraja-le-mandatin-e-deputetit-i-bej-thirrje-djalit-te-dorezohet/

A2 CNN Livestream

Latest Videos