
Socialisti Taulant Balla është i pesti në radhë, i cili do të mbajë postin e Ministrit të Brendshëm në qeverinë e Edi Ramës që prej 2013. Mandatin e parë Kryeministri zgjodhi Sajmir Tahirin në këtë detyrë, një dikaster që u drejtua nga ai deri në 2017. Për shkak të akuzave të drejtësisë për përfshirjen e tij në organizatat kriminale, Tahiri dha dorëheqjen në mars të 2017. Pavarësisht dorëheqjes Tahiri është ministri i brendshëm më jetëgjatë në demokraci. 5 vite pas këtij akti politik njeriu i besuar i Edi Ramës u prangos për të vuajtur dënimin vetëm për shpërdorim detyre.
Pas këtij zhvillimi që tronditi jo pak mazhorancën socialiste, në krye të Ministrisë së Brendshme, Rama kërkoi një tjetër emër politik, Fatmir Xhafajn. Socialisti u kthye në një target sulmesh nga opozita për shkak të akuzave për përfshirjen e vëllait të tij në aktivitete të paligjshme, deri në tetor të 2018 ku kryeministri njoftoj dorëheqjen e tij.
Me anë të një Twitteri, Rama bëri publike edhe emrin e zëvendësuesit të tij, duke e bërë Fatmir Xhafajn edhe Ministrin e Brendshëm më jetëshkurtër të qeverisë së tij.
Ndryshe nga Tahiri dhe Xhafaj, Këshilltari për Sigurinë i Kryeministrit, Sandër Lleshi, nuk ishte një politikan aktiv. Por emri i ri që do të drejtonte dikasterin hasi në disa pengesa nga Presidenti i asaj kohe, Ilir Meta. Shkak u bë grada aktive e Gjeneralit që mbante Lleshi. Por edhe ish-Këshilltari i Ramës qëndroi vetëm 2 vite në këtë detyrë, me kryeministrin që e largoi atë pas presionit të protestave për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga policia.
Pas Lleshit, Rama mendoi t’ia kthejë këtë ministri socialistëve aktivë, një ministri të tij, Blendi Çuçit. Pavarësisht korrektësisë, siç e cilësoi punën e tij shefi i ekzekutivit, Çuçi e mbajti këtë detyrë vetëm për 2 vite e gjysmë. Largimin e tij, si në rastin e Xhafaj e njoftoi vetë Rama në Twitter.
Pavarësisht se Çuçi lakohej prej javësh si ndryshimi i parë në qeveri gjatë kësaj vere, vendimin Rama e mori një ditë pas ngjarjes së Krujës, ku anëtarët e fisit Rrahja dhunuan barbarisht dy pjestarët e familjes Maja. Edhe pse e nisi detyrën duke thënë që është ministër politik, jo polic, largimi i Çuçit, të paktën publikisht erdhi pikërisht pasi për mos reagimin në kohë të policisë në Borizanë.
Ministri i pestë në afro 10 vite do të jetë Taulant Balla, që aktualisht mban detyrën e kreut të grupit socialist si dhe drejtimin poliitk të qarkut të Fierit.
Balla ka hyrë në politikë në 2005 si deputet i PS, ndërsa nuk ka mbajtur asnjë post ministror më herët, përveçse zëvendësoi në detyrë si Sekretar të Përgjithshëm, Gramoz Ruçin. Post që nuk e gëzoi për shumë kohë, pasi Rama në 2021 ja dha Damian Gjiknurit.
Më herët Edi Rama është shprehur se emrin për Ministrin e Brendshëm e konsulton me ndërkombëtarët, por nuk dihet nëse këtë e ka bërë edhe për Taulant Balllën, i cili është një nga socialistët më të akuzuar nga opozita, jo vetëm për pazare politike por edhe për përfshirje me grupet kriminale.
Të hënën, Rama do t’i kërkojë Presidentit firmosjen e shkarkimit të Çuçit dhe emërimin e Ballës në krye të Ministrisë së Brendshme. (A2 Televizion)