
Njeriu më i pasur në botë, Jeff Bezos, ofron 10 miliardë dollarë për të luftuar ndryshimet klimatike. Themeluesi i Amazon tha se paratë do të përdoreshin për financimin e punës së shkencëtarëve, aktivistëve dhe grupeve të tjera.
“Ndryshimet klimatike janë kërcënimi më i madh për planetin tonë. Dua të punoj bashkë me të tjerët si për intensifikimin e metodave të vjetra ashtu edhe eksplorimin e mënyrave të reja për të luftuar ndikimin shkatërrues të ndryshimeve klimatike në këtë planet që e ndajmë të gjithë’, tha Bezos në një njoftim në Instagram.
56-vjeçari ka një pasuri neto prej më shumë se 130 miliardë dollarësh, dhe shuma e premtuar për klimën përfaqëson gati 8 përqind të pasurisë së tij.
Punonjës të Amazon i kanë kërkuar atij të bëjë më shumë për luftën kundër ndryshimeve klimatike, me disa që janë larguar apo që kanë ngritur zërin në publik. Në krahasim me multimiliarderët e tjerë, filantropia e Bezos ka qenë e kufizuar dhe donacioni me i madh deri më tani ka qenë ai prej 2 miliardë dollarësh në 2018, në ndihmë të familjeve të pastreha dhe ndërtimit të shkollave. (A2 Televizion)