Adriatik Lapaj, kryetari i “Shqipëria Bëhet”, deklaroi që do të bashkëpunojë me partitë e tjera opozitare vetëm nëse janë dakord që të “demokratizojnë Kodin Zgjedhor”.
“Ka një pikë ku i gjithë spektri opozitar duhet të bëhet bashkë: Kodi Zgjedhor. Për këtë arsye, në muajin maj u kemi dërguar partive opozitare një draft-propozim për Kodin Zgjedhor: proporcional kombëtar, me lista të hapura. Por, në korrik 2024 u votua drafti që është në fuqi aktualisht, duke u refuzuar drafti ynë. Ishte një moment i artë, pasi ishte i vetmi moment në këto 13 vite që Edi Rama ishte shah mat. PS-ja nuk e çonte dot vendin në zgjedhje pa adresuar Kodin Zgjedhor. Kishte vetëm 74 deputetë edhe i duheshin 84. Ishte momenti kur PS ishte e dënuar që të pranonte draftin e opozitës. Por, nuk u ndoq kjo rrugë dhe vijmë në ditët e sotme. Që të ketë bashkëpunim të sinqertë, duhet të distancohen nga vendimi i vitit 2024”, tha Lapaj në studion e “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN.
“Kur të pranojnë gabimin, duhet të thonë që janë për Kodin e ri dhe të dërgohet te ndërkombëtarët. Ne nuk mund të bashkëpunojmë vetëm sepse “vendi ka nevojë që të largojmë Ramën” dhe të vazhdojmë të pranojmë Kodin Zgjedhor që ka mbajtur zvarrë Shqipërinë. Neve na duhet që e gjithë opozita të bëhet bashkë për të imponuar rregulla demokratike të lojës. Duhet demokratizuar Kodi Zgjedhor dhe kjo është pikë që nuk mund të tejkalohet nga askush”, shtoi Lapaj. (A2 Televizion)