Dikur kjo godinë shërbente si seli e Degës së Punëve të Brendshme, ndërsa sot vizitorët zbulojnë historitë e të burgosurve politikë dhe përndjekjen gjatë diktaturës.
Fotografitë, letrat, dorëshkrimet dhe objektet personale të ekspozuara sjellin dëshmi të jetës dhe vuajtjeve të tyre.
Pjesë evizitës janë qelitë origjinale të paraburgimit dhe dhoma e torturave, ku të arrestuarit përballeshin me dhunën fizike dhe psikologjike gjatë hetuesisë. Dokumentet e ekspozuara pasqyrojnë gjyqet politike, përndjekjen e klerit, internimet dhe dënimet me pushkatim.
“Nuk është një histori e lumtur, por është një histori që duhet t'u tregohet njerëzve, veçanërisht të rinjve”, thotë një vizitor, shkruan A2.
“Është e trishtë. Gjithçka ka ndodhur jo shumë kohë më parë. Të duket sikur bëhet fjalë për Mesjetën, por në të vërtetë nuk kanë kaluar shumë vite. Kjo është ajo që të bën më shumë përshtypje”, shprehet një vajzë.
“Këtu kanë ndodhur tmerre historike. Sapo na shpjeguan të gjitha llojet e torturave që janë ushtruar. Mendoj se është çnjerëzore dhe se është shumë e rëndësishme që të njihet historia e të gjithë këtyre njerëzve dhe dhuna që është ushtruar në Shqipëri”, thekson një tjetër.
“Për këto gjëra nuk dihet pothuajse asgjë. Nëse nuk do të kishim ardhur këtu, nuk do t'i kisha zbuluar kurrë vuajtjet dhe gjithçka që kanë përjetuar njerëzit që kanë kaluar nëpër këtë vend. Më ka bërë përshtypje mungesa e informacionit. Mendoj se për një histori të tillë duhet të flitet, sidomos në Itali, madje edhe në shkolla. Të vish këtu, të shohësh dhe të përjetosh, në një farë mënyre, atë që këta njerëz kanë përjetuar për vite me radhë, ka qenë një tronditje e madhe”, deklaron një vizitor nga Italia.
I hapur si muze në vitin 2014, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” ruan kujtimin e viktimave të diktaturës dhe u përcjell vizitorëve vendas e të huaj historinë e përndjekjes politike në Shqipëri. (A2 Televizion)