Opozita e bashkuar ka përsëritur ftesën ndaj mazhorancës për të vijuar dialogun politik për hapjen 100% të listave zgjedhore, me kusht mbajtjen e koalicioneve paraelektorale.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi dha arysen pse, sipas tij, kryeministri kërkon që partitë opozitare të garojnë të ndara: “Me ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, Edi Rama në praktikë çon votat e qytetarëve të hedhura kundër tij, për partitë e vogla të koalicionit opozitar që nuk prodhojnë dot mandate opozitare, si vota për Partinë Socialiste. Pra, vota kundër Ramës, sipas propozimit të Ramës, do të duhet të prodhojnë mandate për Ramën”.
Refuzuan sërish argumentin e kryeministrit se nëse listat hapen, koalicionet parazgjedhore bien.
“Koalicionet dhe listat e hapura mund të funksionojnë pa asnjë problem me njëra-tjetrën”, tha Bylykbashi.
Për zbatimin e formulës së re, opozita e bashkuar ka gati një model për t’u zbatuar, duke propozuar që në Shqipëri fleta e votimit të jetë e njëjtë me atë që u aplikua në zgjedhjet e fundit në Kosovë.
Propozimi i një dite më parë shënon një kthesë për PD, e cila ishte shprehur se ndryshimet kushtetuese duhet të kalojnë përmes procesit të referendumit. A2 e pyeti Gazment Bardhin se përse ndryshoi qëndrim selia blu: “Jemi koherentë në qëndrimin tonë, por sa kohë është parashtruar një çështje, ne po mbajmë një qëndrim konkret”.
Oferta e një dite më parë e opozitës nuk ka marrë përgjigje për diskutim në mbledhje të Këshillit Politik nga ana e mazhorancës, ndërkohë që 30 korriku është data kur pritet të votohen në Kuvend ndryshimet kushtetuese. (A2 Televizion)