
Ligjvënësit rusë aprovuan kandidatin e propozuar nga Presidenti Vladimir Putin si kryeministrin e ri të vendit, pas dorëheqjes së qeverisë së Dmitri Medvedev dhe njoftimit të Putinit për reformimin e Kushtetutës.
Duma Shtetërore, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus, votoi në favor të ish-shefit të Shërbimit Federal të Taksave, Mikhail Mishustin. Në një fjalim në Parlament, para votimit, Mishustin tha se rusët do të ndjenin ndryshime për mirë pas zgjedhjes së tij kryeministër dhe premtoi të ruante inflacionin në 4%.
“Puna për projektet kombëtare do të përshpejtohet. Presidenti ka theksuar më shumë se një herë, se tani qytetarët do të fillojnë të ndjejnë ndryshime për mirë”, tha kryeministri i ri.
Zgjedhja e Mishustin për zëvendësimin e Dmitri Medvedev si kyeministër ishte e papritur. 53-vjeçari ka drejtuar Shërbimin Federal të Taksave dhe nuk konsiderohet një politikan i profilit të lartë. Nuk është e qartë nëse Mishustin do të jetë një figurë e përkohshme, apo nëse Putin e ka zgjedhur si pasardhës të mundshëm të tij.
Ndryshimet tronditëse në politikën ruse erdhën pas fjalimit të përvitshëm të Putinit para ligjvënësve kur njoftoi një sërë ndryshimesh kushtetuese që do t’i garantojnë Parlamentit më shumë fuqi, përfshirë në zgjedhjen e kryeministrit, e do të dobësojnë pozitat e pasardhësit të Putinit, pasi atij t’i mbarojë mandati.
Menjëherë pas njoftimit, Medvedev dha dorëheqjen, ashtu si edhe pjesa tjetër e qeverisë. Zhvillimet nxitën spekulimet se Putini po përpiqet të gjejë një mënyrë për të qenë në pushtet pas përfundimit të mandatit në vitin 2024. (A2 Televizion)