
Kryeministri Rama njoftoi në fillim të kësaj jave se do të ndryshojë taksën progresive, nëse fiton një mandat të tretë. Modelin e taksimit, me të cilin erdhi në pushtet 8 vite më parë dhe që e ka mbrojtur përgjatë dy mandateve, pavarësisht kritikave të forta të një pjese të ekspertëve, se ky model taksimi favorizon bizneset dhe rëndon mbi shtresën e mesme dhe intelektualët. Në prag të zgjedhjeve, Rama ndryshon taksën e tij. Për këtë temë u diskutua këtë të mërkurë në A2 Business.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati u pyet se pse do të ndodhë ky ndryshim në këtë moment, kur vendi ndodhet në krizë.
Sipas Bushatit, do ta bëjnë taksën edhe më progresive sesa ka qenë gjatë deri tani. “Shteti social është sot gjithmonë më i promovuar në të gjithë vendet e botës, sidomos pas pandemisë. Taksa e sheshtë ka dalë nga moda në vitin 1996, kjo taksa ka sukses vetëm në Rusi. Ndryshimi do të bëjë që taksa të bëhet edhe më progresive.
Shteti është treguar shumë më i kujdesshëm në kohë të mbarë, për të qenë më aktiv në kohë të vështira si sot. Kriza është e barabartë me atë pas Luftës së Dytë Botërore.
Taksa progresive fillon dhe rëndon mbi pagat mbi 4 milionë lekë. Sot vetëm 2,5% e atyre që paguhen kanë rroga mbi 4 milionë lekë”, u shpreh Ervin Bushati. (A2 Televizion)