“Në Bruksel me Kurtin për të ruajtur paqen”, por Vuçiç prezanton armët e reja serbe

Nga A2 CNN
15 Gusht 2022, 15:40 | Ballkani
“Në Bruksel me Kurtin për të ruajtur paqen”, por

Përpara udhëtimit të rëndësishëm në Bruksel, prezantoi armët e reja në Beograd, të prodhuara nga Serbia. Presidenti Aleksandër Vuçiç, foli me krenari për ato produkte, duke theksuar se gjithçka mund të shitet brenda 3 ditëve. Kërkesa e madhe për armatime, sipas tij, është një tregues i qartë se çfarë drejtimi po merr bota. Ndër produktet më kryesore përmendi obusin vetëlëvizës “Nora”, mjetin e blinduar ushtarak “Llazar 3”, sistemin e kombinuar të mbrojtjes ajrore vetëlëvizëse “PASARS-16” dhe modelin e ri të pistoletës “Zastava”.

Gjithashtu njoftoi se brenda këtij viti, arsenalit ushtarak të Serbisë do t’i shtohen edhe 11 helikopterë multifunksionalë. Presidenti serb komentoi dhe tensionet e fundit me Kosovën si dhe përmendi synimet e tij në takimin me kryeministrin Albin Kurti në Bruksel.

“Ne do të shkojmë në Bruksel për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, ky është qëllimi ynë i vetëm. Ne nuk po kërcënojmë askënd, vetëm dëshirojmë të sigurojmë respektimin e rregullave ndërkombëtare, respektimin e normave, që nga Rezoluta 1244 e deri te Marrëveshjet e Brukselit.”

Sa i përket çështjesh së reciprocitetit për targat, zbatim të cilin Kosova e shtyu për në shtator, Vuçiç tha se do të mbajë këtë qëndrim. “Kur vjen puna për targat, situata është e qartë. Ata mund ta zbatojnë me forcë vendimin, por mos prisni që Serbia t’ju ndihmojë në procesin e rregullimit ligjor të problemit, për më tepër kur ky vendim është kundër popullit të Serbisë”, tha Vuçiç.

Presidenti serb do ketë një agjendë të ngjeshur këtë të enjte. Në Bruksel ai pritet të takohet dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe përfaqësuesin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Diskutimi kryesor do të jetë për formimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë, por edhe çështjet e sigurisë rajonale. Ndërkohë, më herët, Vuçiç la të kuptohet se nuk do të pranojë që Rusia apo ndonjë shtet tjetër të ndërtojë bazë ushtarake në Serbi, duke konfirmuar se vendi i tij do të mbajë një status neutral ushtarak. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos