Në Hënë apo në Mars?! Dhjetë vende “aliene” në planetin tonë

Nga A2 CNN
15 Korrik 2022, 16:48 | Lifestyle

Të ndihesh sikur je në një planet tjetër, por pa lëvizur nga Toka, është e mundur në disa vende unike, ku peizazhet vullkanike, gurët e formuar nga erozioni apo ngjyrat e jashtëzakonshme, i japin planetit tonë një panoramë përrallore. Nuk është për t'u habitur që shumë prej tyre janë përzgjedhur si vende për të xhiruar filma të Hollivudit. 

Më poshtë, po rendisim dhjetë vendet më magjepsëse të planetit tonë.

Shkretëtira Wadi Rum, Jordani

Një peizazh “marsian”, me rërë të kuqe dhe shkëmbinj që ngrihen befas nga dunat e shkretëtirë, e bëjnë Wadi Rum, një vend me bukuri mahnitëse që ka rënë në sy të shumë regjisorëve. Wadi Rum është gjithashtu vendndodhja reale e planetit imagjinar Jedha në sagën e filmit “Star Wars”. 

Shkretëtira e Sinait, Egjipt

Ngjyra të ndryshme që krijojnë një atmosferë joreale, ku rëra dhe shkëmbinjtë ndërthuren duke i dhënë kësaj hapësire idenë e një planeti tjetër. Gadishulli i Sinait, me formën e tij të veçantë trekëndore, është pika e kryqëzimit midis Afrikës dhe Azisë dhe është pothuajse tërësisht i mbuluar nga shkretëtira.    

"Shkretëtira e bardhë", Egjipt

“Kullat” e gurit, shkëmbinjtë dhe rëra e artë ndërthuren për të ofruar një panoramë surreale që duket si e një planeti tjetër. “Shkretëtira e bardhë” e Egjiptit, pjesë e Saharasë mahnit vizitorë nga e gjithë bota për pamjet fantastike që ofron.

https://a2news.com/2021/03/03/shkretetira-e-bardhe-peizazhi-i-jashtezakonshem-i-egjiptit/

Vullkanet e baltës, Azerbajxhan

Jo shumë larg Bakusë, kryeqytetit të Azerbajxhanit, ndodhet një gadishull i vogël pranë detit Kaspik. Gadishulli rrethohet nga një peizazh i dominuar nga vullkanet e baltës që kanë qenë aktive për mbi 25 milionë vjet. Nga krateret del baltë dhe gaz, dhe bimësia praktikisht mungon, duke bërë që i gjithë vendi të dominohet nga nuanca të panumërta gri.     

Ishulli Vulcano, Ishujt Aeolian, Siçili

Ishulli Vulcano në arkipelagun e Eolit. Sipas, mitologjisë në këtë vend farkëtarët e Hefestit, perëndisë së zjarrit, me ndihmën e Ciklopëve, krijuan rrufetë e përdorura nga Zeusi. Aktiviteti sizmik bën që në këtë vend të prodhohet baltë e nxehtë squfuri, e njohur për vetitë kuruese. 

Sassari, Sardenjë

Capo Testa, në Sardenjën veriore, përveç se ofron plazhe të bukura dhe një det fantastik, u ofron vizitorëve një vend të mbushur me gurë dhe shkëmbinj të formuar nga era dhe deti në forma vërtet unike. Së bashku, ata ofrojnë një panoramë “aliene”, që të jep idenë e botëve të tjera.  

Parku Lanzarote, Ishujt Kanarie

Parku Lanzarote është tërësisht vullkanik dhe pa ujë. Brenda parkut, toka e kuqe dhe e zezë përzihen për të krijuar një kontrast të jashtëzakonshëm kromatik, të cilit i shtohet bluja e qiellit dhe oqeanit. Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1993, Parku është një ulje-ngritje e vazhdueshme e shpateve dhe kratereve. 

Utah dhe Arizona, SHBA

Kjo pllajë e madhe shkretëtire, e vendosur në kufirin midis Jutës dhe Arizonës, është në fakt me origjinë lumore; karakterizohet nga grumbuj të mëdhenj shkëmbinjsh të famshëm në të gjithë botën. Shumë nga këto “ndërtesa” natyrore, kanë formën e kullave me majë të sheshtë.     

Shkretëtira Atacama, Kili

Kushtet ekstreme klimatike e bëjnë këtë zonë, të shtrirë midis Kilit dhe Perusë një hapësirë ​​të shkretë dhe të thatë. Temperaturat mes ditës dhe natës lëvizin gati 30 gradë, ndaj pak specie mund të përshtaten me një klimë të tillë. Lartësia dhe temperaturat e ulëta shkaktojnë madje edhe reshje bore. Në këto raste, toka është e mbuluar me një pluhur të bardhë që e bën peizazhin gati hënor. 

Liqeni Natron, Tanzani

Në Luginën e Riftit dhe në këmbët e vullkanit Gelai në Afrikë, ndodhet një pellg i madh, kripësia e lartë e të cilit lejon vetëm disa specie të mbijetojnë. Gjatë stinës së shirave, pellgu mbushet me ujë, por më vonë temperaturat e larta shkaktojnë avullim intensiv. Aty gjallojnë vetëm disa baktere të pasura me pigment të kuq, që e ngjyros intensivisht ujin, duke dhuruar pamje fantastike.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos