





Peshkatarët beduinë që sigurojnë jetesën e tyre duke peshkuar në vijën bregdetare të Omanit qeshin dhe këndojnë teksa punojnë, me frikën se mund të jenë të fundit të llojit të tyre...
Khaleedah al-Hokmani ecën çdo ditë zbathur nëpër ujërat e turbullta, duke mbajtur një shtizë hekuri të ndryshkur, derisa të kapë një sepje apo një gjallesë tjetër detare. Rreth 400 peshkatarë beduinë në Omanin qendror praktikojnë këtë mënyrë jetese të trashëguar: peshkimin e jovertebrorëve dhe tregtimin e tyre. Sepjet, oktapodët, gocat e detit dhe molusqet janë të preferuarat e tregut dhe më të shiturat. Historikisht në Oman me këtë punë janë marrë gratë, mirëpo gjithnjë e më shumë peshkimi industrial po bën që ky sektor të dominohet nga burrat dhe tradita dalëngadalë të humbasë.
Puna po bëhet gjithmonë e më e pasigurt, thotë Hokmani, e cila në moshën 14-vjeçare u mësua nga nëna e saj të peshkojë me shtiza. Ajo tani është e divorcuar dhe kujdeset për tetë fëmijët e saj. Në kohë të plotë punon si shofere autobusi, ndërsa të ardhurat e tjera i siguron nga peshkimi i jovertebrorëve. Hokmani dhe miqtë e saj që ushtrojnë peshkimin me shtizë njihen me pseudonimin si "banda e keqe". Për të peshkuar, ato udhëtojnë 50 km nga shtëpitë e tyre deri në terrenet më të mira që janë të pasura me gjallesa.
Gratë hyjnë në ujëra të cekëta duke mbajtur shtizat sikur të ishin zgjatim i trupave të tyre. Secila mban një shami me ngjyrë dhe lyhet me krem dielli të bërë nga druri i sandalit. Kur nisin punën, gratë këndojnë këngët e mësuara nga nënat e tyre që mendohet se tërheqin gjallesat.
"Sa i shijshëm është mishi i guaskës
Nëse punoni mund të merrni shumë
Përtacët nuk hanë asgjë"
Në fund, ato mblidhen në breg dhe bëjnë bilancin e punës ditore. Megjithatë, brezi i ri nuk po e trashëgon më këtë profesion. Vajza e Hokmani-t, si shumë të rinj të tjerë, ka zgjedhur të ndjekë arsimin e lartë dhe të kërkojë punë në qytete të mëdha. (A2 Televizion)