Ish-ushtari i Ushtrisë Çlrimitare të Kosovës, Meçan Zotaj, ka zbuluar në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN se si ishte e organizuar komanda që drejtonte luftën për lirinë e popullit të Kosovës.
Ai po ashtu tha se në kohën e luftës, ushtarët e UÇK nuk kishin mjete për të kuruar plagët e tyre, e jo më për të kryer trafik organesh siç pretendohet në akuzën mbi të cilën u ngrit Gjykata Speciale.
“Gjykata Speciale u ngrit mbi bazën e trafikimit të organeve, gjë që ka qenë shumë absurde edhe vetë kush e ka deklaruar. Ne s'kemi pasur fasha të lidhim plagët e luftës lëre më të bëjmë operacione për trafik organesh. Nuk dua të hyj te strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për mos të ndikuar, të lëmë personat kompetentë të cilët flasin për këtë punë. Po unë mund të flas për brigadën që unë kam operuar. Brigada që unë kam operuar ka qenë komandant Rustem Berisha. Unë kam qenë nën komandën e Anton Çunit, ka qenë komandant i njësisë speciale Koshare dhe nën komandën e tij ka qenë Xhemajl Fetahu, komandanti i njësisë të cilën unë kam operuar në forcat komando Delta. Kështu që aty ku unë kam operuar ka qenë një hierarki e rregullt ushtarake”, tha Zotaj në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN.
I pyetur për qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij ndaj Gjykatës Speciale, Zotaj tha se ata kanë protestuar fuqishëm kundër ngritjes së saj.
“Njerëzit që drejtojnë sot qeverinë e Kosovës kanë protestuar fuqishëm që mos të ndërtohet Gjykata Speciale e Hagës, sidomos në Hagë. Nëse ishte nevoja që të ndërtohej një Gjykatë Speciale për krime lufte mbasi ashtu kërkohej, ajo duhej të ndërtohej në Kosovë ashtu sikur Serbia që e kanë Serbi dhe shtetet e tjera që i kanë nëpër shtetet e tyre. Mirëpo vetë Hashim Thaçi dhe të tjerë faktorë i ndihmuar forcërisht nga Edi Rama, i cili ka ardhur special me helikopter dhe është munduar me çdo kusht që të ndërtohet Gjykata Speciale. Ata kanë bërë përveç një gabim shumë të madh që e kanë ndërtuar. Të gjithë ne kemi qenë kundër. Ata e kanë futur në kushtetutë dhe miratimi i saj është bërë me 2/3 e minoritetit serb. Pra kanë krijuar një Frankenstein të cilin nuk e kontrollojnë dot më. Detyrimisht nëse duan ta zhbëjnë ashtu si kërkuan ta zhbënin kur morën vesh që Gjykata Speciale mori një trajtë komplet tjetër dhe ka qenë një tradhti ndoshta e premtimeve që dikush ju ka dhënë liderëve shqiptarë kur ka kërkuar krijimin e saj. Atëherë ka qenë e pamundur çdo lëvizje dhe qeveria e Kosovës nuk ka shans të bëjë as 1 milimetër më tutje. Sepse përveç që është ndërhyrje në drejtësi, për të zhbërë Gjykatën Speciale, duhen 2/3 e minoritetit serb që ta votojnë dhe kjo është absolutisht e paarritshme”, deklaroi Zotaj në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN. (A2 Televizion)