Dredha dha dorëheqjen, kandidatja e PS për Vlorën: Është pjesë e fushatës

Nga A2 CNN
18 Tetor 2025, 20:59 | Politikë

Kandidatja e mazhorancës për bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e 9 nëntorit, Brunilda Mersini në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN, i dha përgjigje disa pyetjeve rreth fushatës, projekteve për qytetin bregdetar por edhe raportin me kryebashkiakun e dorëhequr Ermal Dredha.

Ajo zbuloi se me Dredhën ka një marrëdhënie pozitive dhe se ai është pjesë e ekipit në terren, duke ndarë edhe ide për projektet transformuese të Vlorës.

“Zoti Dredha tashmë është pjesë e ekipit dhe një pjesë e shumë rëndësishme, pasi edhe pjesa e mandatit një vjeçar të kryetarit të ardhshëm të bashkisë do të jetë vazhdim i punës së tij dhe pa diskutim kontributi i tij është me shumë vlerë sepse diçka në qytet duhet të ndryshojë. Dhe ajo që unë e mendoj është qëllimi bazik”, tha Mersini në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN.

Më tej ajo nënvizoi se pastrimi është një nga problemet kryesore në Vlorë dhe në analizën qëka bërë i rezulton se ka një lloj parazitizmi nga bashkia në raport me të, ashtu si edhe pabarazia në vëmendjen që i kushtohet pjesës urbane dhe asaj periferike të qytetit.

“Unë mendoj se bashkia duhet të jetë efikase, të reagojë në kohë dhe të ketë profesionalizëm. E kam menduar se ka njëlloj parazitizmi në institucionet e bashkisë, në mënyrën si reagon dhe ajo është thembra e Akilit në këtë qytet është pastrimi. Dhe për ta bërë këtë është një element shumë i rëndësishëm burimi njerëzor. Në analizën time dhe informacionet që kam ndarë me zotin Dredha mendoj se duhet ta menaxhojmë qytetin përmes dy pikave të rëndësishme. Pika e parë është zona e bregdetit dhe pjesa tjetër e rëndësishme janë lagjet dhe zonat urbane. Sepse Vlora ka pasur një pabarazi të planifikimit të qytetit, sepse kemi harruar periferinë. Kjo duhet të balancohet në projektet në vazhdim të 2026, projekte që Ermali i ka nisur dhe vijojnë por edhe projekte të tjera që i takojnë kryetarit të ri të bashkisë”, deklaroi Mersini në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos