Kandidati i PD zbulon ku do i çojë paratë e Vlorës: S'jam aventurier, në bashki s'do ketë servilë

Nga A2 CNN
18 Tetor 2025, 21:25 | Politikë

Dionis Sota, kandidati i pavarur për Bashkinë e Vlorës, i cili gëzon mbështetjen e PD dhe forcave të tjera opozitare, ka shpalosur në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN, projektet e tij për qytetin bregdetar.

I pyetur nëse në fushatë do të dalë me strukturat lokale të PD, Sota tha se “o të dalim në dy fronte”, por këmbënguli se ai do të regjistrohet në KQZ si kandidat i pavarur dhe po ndjek procedurat ligjore për këtë.

Unë do të jem kandidat i pavarur dhe jam në fazën përfundimtare të mbledhjes së firmave. Janë proceduar të gjitha fazat ligjore sipas Kodit Zgjedhor dhe emri Dionis Sota do të jetë kandidat i pavarur.  Do të dalin në dy fronte dhe strategjia është e tillë: ‘Një front është politik. Unë jam prezantuar para dy ditësh në strukturat e Partisë Demokratike. Nuk e di sa janë informuar. Normalisht përkrahësit e mi, patjetër që unë do i kem në krah”, shtoi ai.

Sakaq, pyetjes nëse garën e 9 nëntorit e sheh si promovim për figurën e tij apo ka synim real të drejtojë qytetin, Sota iu përgjigj: “Absolutisht. Kjo është një fjali që është dëgjuar shpesh dhe unë po ja them troç unë në asnjë moment nuk nis diçka për aventurë apo për protagonizëm”.

Gjithçka që unë kam nisur dhe mund ta ndiqni historikun tim, mund të googëlloni dhe të kërkoni të gjitha nismat në shoqërinë civile i kam çuar deri në fund dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe jam aktivizuar në gjithë këto kohë që të bashkoj të gjithë faktorët e shoqërisë civile dhe jo vetëm”, deklaroi më tej Sota në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN, projektet e tij për qytetin bregdetar.

Sa i përket programit ai theksoi se do të përqendrohet te problematikat me pastrimin, transportin publik dhe mbështetjen për të rinjtë, pasi sipas Sotës ka një plagë reale që e shqetëson Vlorën, dhe ai është emigrimi i profesionistëve të rinj.

Atëherë programi... Kam lidhje me disa studio kontabiliteti të cilat po e analizojnë me shumë kujdes pjesën e buxhetit të bashkisë. Pikë së pari duke parë gjithë problematikat që kanë ardhur. Një nga problematikat ka qenë mostransparenca. E para do të jetë një faqe digjitale e cila do të bëjë transparente të gjitha proceset për sa i përket çdo leku të dalë nga bashkia Vlorë. Pjesa e dytë është pastërtia dhe pastërtia nuk do të jetë thjesht në zonat qendrore të qytetit të Vlorës, por do të jetë e shtrirë në çdo lagje të qytetit dhe kjo pjesë do të jetë e bashkërenduar me rregullimin dhe riorganizimin e të gjithë infrastrukturave të atyre lagjeve, të cilat sot për fat të keq në vitin 2025 pas 12 viteve në pushtet të Partisë Socialiste dhe mbi 25 vite drejtimi në bashkinë e Vlorës po i premtojnë përsëri dhe kjo më duket jo serioze. Programi është i gjatë por një tjetër pikë është transporti rrugor. Po transporti rrugor ë është shumë i rëndësishëm dhe ne jemi të prirur që ta çojmë drejt automjeteve elektrike dhe do ta rishikojmë të gjithë infrastrukturën në këtë drejtim. Do ta rimendojmë shumë seriozisht pjesën e urbanistikës dhe të ndërtesave në favor të rinisë si edhe start-upet për rininë dhe për promovimin e tyre sepse kemi një emigrim masiv dhe për të nuk flitet në qytetin e Vlorës”, zbuloi Dionis Sota në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN.

Sota po ashtu paralajmëroi se administrata e fryrë e bashkisë së Vlorë, ku përllogaritet që ka aktualisht 1000 - 1400 punonjës, do të ndryshojë në sensin që s'do të ketë në organikën e saj "servilë", siç i etiketoi ai, apo rrogëtarë që nuk bëjnë detyrën siç duhet.

“Aty do të ketë vetëm punëtorë dhe nuk do të ketë servilë apo rrogëtarë të partive të cilët marrin rrogat dhe as paraqiten në punë. Madje dhe orari zyrtar ne jemi duke menduar që ta bëjmë me kartë elektronike sepse në bashki aty ku merren taksat dhe menaxhohen taksat e qytetit duhet të ketë dyfishin e punës së atyre që bëjmë ne si biznese dhe që sakrifikojmë çdo ditë të vitit", tha Sota në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos