Alda Klosi lihet në burg, akuzohet për “pastrim parash” dhe “deklarim të rremë”

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2023, 13:19 | Aktualitet
Alda Klosi lihet në burg, akuzohet për “pastrim parash”

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë për të mos liruar nga qelitë e paraburgimit Alda Klosin, ish-zyrtaren e lartë të Ministrisë së Financave të akuzuar për “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “deklarim të rremë para oficerit të Policisë Gjyqësore”.

Verdikti i gjykatës për masën “arrest në burg” nuk mundi të ekzekutohet menjëherë, për shkak se Klosi gjendet e shtruar në spital, ku shkoi pak orë pas arrestimit. Për këtë shkak, gjykata shkoi në QSUT paraditen e së martës, ku verifikoi pamundësinë shëndetësore të ish-zyrtares, si edhe i mori gjeneralitetet.

Më pas, seanca u ndërpre, për të vijuar përballjen gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, ku Klosi u pëfaqësua nga avokati i saj. Prova kryesore e prokurorisë kundër saj ishte deklarimi i sanitares Rozeta Dobi, që pranoi se gati 500 mijë euro të gjetura në shtëpinë e saj i ishin lënë në ruajtje nga ish-zyrtarja.

Avokati i Klosit ngriti dyshime mbi vërtetësinë e deklarimit: “Është hera e katërt që ajo pyetet në prokurori dhe sa herë që është pyetur ka dhënë një version të ri për ngjarjen. Është zënë me presh në duar si një person që ka vjedhur banesën e një shtetasi dhe po përpiqet të përfitojë një pozitë sa më të lehtësuar për djalin e saj”.

Avokati tha se Alda Klosi ishte pyetur përciptazi kur kishte denoncuar vjedhjen e 125 mijë eurove, ndërsa i qëndroi versionit se ishin para borxh: “Vëllai i saj ka paraqitur prokurori një kontratë huadhënieje, në bazë të të cilës janë dhënë 125 mijë euro për kurimin e xhaxhait të saj”.

Nga ana tjetër, avokati tha se klientja e tij nuk kishte detyrim ligjor t’i deklaronte në këtë moment. Alda Klosi u arrestua mbrëmjen e së premtes, pas deklarimeve të reja të dhëna nga ish-sanitarja e saj, Rozeta Dobi, e cila tha se edhe inskenimi i vjedhjes i ishte kërkuar nga ish-zyrtarja.   (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/04/arrestimi-i-alda-klosit-prokuroria-e-tiranes-hetimet-jane-komplekse-dhe-vijojne/

A2 CNN Livestream

Latest Videos