
Novak Djokovic rikthehet të stërvitet në fushat e tenisit, edhe pse mbetet në pritje të vendimit të qeverisë australiane. Pavarësisht se fitoi të drejtën në gjykatë, rreth çështjes së anulimit të vizës, numri 1 në botë rrezikon gjithsesi deportimin nga Australia, me Ministrinë e Emigracionit që do të ketë fjalën e fundit.
Edhe prej faktit që duket e vështirë që vendimi të merret në orët në vazhdim, Nole ka nisur përgatitjet në “Rod Laver Arena”.
“Ministri Hawke po shqyrton anulimin e vizës së Djokovic, bazuar në ligjet e emigracionit”, thuhej në një njoftim.
Për shkak të situatës ende të paqartë, ndryshe nga sa ndodh me sportistët e tjerë, stërvitja e tenistit nuk është transmetuar direkt. Fotot dhe videot e seancës janë realizuar nga disa prej gazetarëve të pranishëm, që u lejuan të ndiqnin përgatitjet.
Edhe pse pjesëmarrja e Novak Djokovic në “Australian Open” mbetet ende në dyshim, ai cilësohet si favorit për fitimin e trofeut.
Ndërkohë, organizatorët e turneut janë shprehur të kënaqur me vendimin e gjykatës, për të lejuar Nolen të konkurrojë, duke deklaruar se 97% e 100 tenistëve kryesorë janë të vaksinuar.
“Australian Open” është “Grand Slam”-i i parë për vitin 2022. Eventi do të nisë gjatë kësaj fundjave, më datë 17 janar, në Melburn. (A2 Televizion)