Në Vlorë festat si ditë të zakonshme, shtresa e mesme dhe pensionistët konsumuan pak

Nga A2 CNN
6 Janar 2023, 11:07 | Aktualitet
Në Vlorë festat si ditë të zakonshme, shtresa e mesme dhe

Festat e fundvitit duket se nuk kanë sjellë atë që pritej te tregtarët e tregut të fruta-perimeve dhe bulmetit në qytetin e Vlorës. Tregtarët shprehen se shtresa e mesme dhe pensionistët, që përbëjnë dhe klientët kryesorë të këtij tregu, kanë blerë pak ose aspak dhe se festat duket se i kanë kaluar si çdo ditë të zakonshme.

Konsumin e ulët për festat e fundvitit e pranojnë edhe vetë pensionistët, të cilët edhe pse morën shpërblimin nga qeveria, sërish kanë qenë në situatë të vështirë ekonomike edhe për ushqimin. Edhe këto ditë pas festave, tregu kryesor i fruta-perimeve në Vlorë vijon të jetë i boshatisur, ku përveç qytetarëve ka edhe mungesë të mallrave.

Ndryshe paraqitet situata në Korçë, ku pas fluksit dhe atmosferës së krijuar për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, e gjithë zona turistike e juglindjes i është rikthyer normalitetit dhe qetësisë. Me mijëra turistë, shijuan atë ç’ka Korça, hotelet, bujtinat dhe restorantet ofruan, ashtu sikurse nga ana tjetër edhe të ardhurat kanë qenë të kënaqshme.

Këtë fakt e konfirmojnë jo vetëm operatorët turistikë, por edhe zyrtarë të pushtetit lokal. Kërkesa e lartë për të kaluar festat në Korçë, ka bërë që edhe çmimet për festat e fundvitit të pësonin rritje, në disa raste edhe shumë të ndjeshme.

Për bashkinë, ky fenomen do të jetë pjesë e diskutimit me operatorët turistikë, ndërsa këto të fundit mendojnë ndryshe. Pas festave, Korça i ka sytë nga qielli dhe operatorët luten për reshje dëbore në mënyrë që të vijojnë të tërheqin vizitorë, pasi në të kundërt, turizmi në juglindje rrezikon të futet në një gjumë letargjik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos