
Maqedonia e Veriut nuk do të mbajë peng Shqipërinë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, duke komentuar faktin që Bullgaria mund të zhbllokojë negociatat, tha se secili shtet ecën me dinamikën e vet në këtë proces, por nënvizoi se Tirana dhe Shkupi duhet të jenë bashkë për të qenë një element i rëndësishëm gjeopolitik dhe për të ndihmuar njëra-tjetrën.
“Në 2019-ën ishte ‘po’ për ne dhe ‘jo’ për Shqipërinë. Tani është ‘po’ për Shqipërinë, ‘jo’ për ne. Nëse shohim vetëm rezultatin e momentit mund të jetë vetëm interes afatshkurtër. Unë mendoj se deri në një fazë të caktuar të procesit duhet të jemi bashkë. Mirëpo, askush nuk ia mohon Shqipërisë që të kërkojë të ecë përpara në këtë rrugë”, tha Osmani.
Ministri shqiptar në qeverinë maqedonase falënderoi veçanërisht Kryeministrin Rama për qëndrimet e tij në mbështetje të Maqedonisë së Veriut, jo vetëm gjatë samitit në Bruksel, por edhe në dalje të tjera publike. “Ne jemi falënderues për qëndrimin e Shqipërisë. Ka qenë e jashtëzakonshme që ju të shkoni kundër interesit tuaj dhe të thoshit ‘e presim Maqedoninë e Veriut’ ka qenë e jashtëzakonshme”, tha Osmani.
Sa i përket propozimit të Macron për kuadrin negociues, ai tha se do presë për dokumentin zyrtar të presidencës franceze të Bashkimit Europian, ndërsa përpilimin aktual e konsideroi të papranueshëm.
“Çështja e gjuhës dhe çështjet historike të mos jenë pjesë e procesit negociues për anëtarësim në BE. Sekuencimi i hapave kushtetues është i rëndësishëm. Ka dy qëndrime që përplasen, Bullgaria kërkon që Maqedonia e Veriut të ndryshojë së pari Kushtetutën dhe më pas të nisin negociata, ndërsa qeveria jonë kërkon që fillimisht të nisin negociatat dhe më pas të vijnë ndryshimet në Kushtetutë. Dëshirojmë të hyjmë në BE, por vetëm duke mbrojtur identitetin, gjuhën dhe historinë”.
Më herët, Osmani komentoi mbështetjen që i dha parlamenti i Bullgarisë planit të Macron për heqjen e vetos, duke thënë se një zhvillim i tillë do të bllokojë procesin e zgjerimit europian në planin afatgjatë. Ministri shtoi gjithashtu se kjo do të paralizojë marrëveshjen e Fqinjësisë mes Shkupit dhe Sofjes. (A2 Televizion)