Negociatat, Parlamenti holandez diskuton për Shqipërinë: Mirëpresim hapat e ndërmarra, por duhet ende shumë punë

Nga A2 CNN
8 Tetor 2019, 19:07 | Politikë
Negociatat, Parlamenti holandez diskuton për Shqipërinë:

Parlamenti i Holandës diskutoi sot lidhur me çeljen e negociatave të anëtarësimit të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ligjvënësit e këtij shteti kanë thirrur në interpelancë ministrin e Jashtëm, Stef Blok.

Holanda prej kohësh është shprehur skeptike lidhur me negociatat, kryesisht për Shqipërinë, pasi konsideron se nuk ka bërë progres në reformat e kërkuara. "Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe në përmirësimin e sundimit të ligjit", shprehej Blok disa ditë më parë.

https://a2news.com/2019/10/08/celja-e-negociatave-ministret-femra-te-edi-rames-i-shkruajne-parlamentit-holandez/

Qeveria e Amsterdamit shprehu hapur pakënaqësitë e saj, ndërsa theksoi se korrupsioni dhe trafiku i drogës mbeten probleme serioze, të cilat do të diskutohen edhe gjatë Këshillit të Bashkimit Europian.

Ndërkohë në diskutimet e Komisionit, të ritheksuara edhe nga një qëndrim zyrtar i Ministrisë së Jashtme holandeze, theksohet se “Hollanda e mirëpret punën e madhe dhe hapat e ndërmarra në vitin e fundit. Hollanda mendon se më shumë punë duhet bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar”.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut nuk ka ndonjë kundërshtim për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Deputetët holandezë janë shprehur shpeshherë kundër anëtarësimit të Shqipërisë me frikën se do të eksportohet krimi dhe droga në Bashkimin Europian.

https://a2news.com/2019/10/08/hapja-e-negociatave-jo-nga-holanda-cakaj-nuk-kam-frike-nga-votat-kunder/

Deputetët holandezë kanë miratuar rezoluta të ndryshme kundër Shqipërisë, duke kërkuar edhe rikthimin e vizave, pra pezullimin e Shengenit.

Gjithsesi, Holanda nuk ka marrë një vendim zyrtar dhe nuk pritet të ketë një të tillë deri në takimin e datës 15 tetor, kur do të mblidhen ministrat e Jashtëm të BE, ku mund të ndikojë edhe vendimmarrja franceze.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos