Blendi Klosi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, foli mbi emrin e kandidatit të mundshëm socialist për Bashkinë e Tiranës.
“Ne kemi filluar prej kohësh, por në fakt tani jemi futur në fazën e nxehtë të përgatitjes strukturore të Partisë Socialiste për emrin e kryetarit të bashkisë në çdo qytet. E kam thënë shpesh, ne garojmë për t'i fituar të 46 bashkitë e vendit. E kam thënë në Parlament dhe them se mund të humbim më pak sesa gishtat e dorës bashki, ku do bëjmë ne gabime. Nuk kemi asnjë arsye për të humbur asnjë bashki të vendit. Ne nuk jemi një parti e vogël dhe nuk kemi filozofi që emri i kandidatit do ta bëjë garën. Nëqoftëse kemi një arsye pse fitojmë, është se nuk e bën emri i kandidatit garën, e bën forca politike, e bën struktura organizative, e bën organizata socialiste dhe organizimi jonë elektoral, edhe patronazhimin në çdo cep të territorit. Ne e kemi këtë armë të fortë që në çdo fshat apo çdo lagje, edhe në fshatin më të humbur, troket dhe e gjen një grup njerëzish aty që thonë “ne jemi Partia Socialiste”. Pra, këtë organizimin tonë të brendshëm do duhet ta forcojmë. Kemi lidership të spikatur dhe një program qeverisës që e kemi flamur të fitores sonë në garën e ardhshme elektorale dhe nuk është emri pjesa më e rëndësishme e garës sonë”, tha Klosi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Më tej, Klosi shtoi se “emri padyshim është i rëndësishëm, por fushatën e bën partia, punën e bën elektorati, frymën e organizimit dhe ideologjinë e krijon lidershipi dhe natyrisht ne pastaj shkojmë me emrin e kandidatit”.
“Nuk ka një emër jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë sot, që është i konfirmuar si kandidat i Partisë Socialiste. Është një proces i hapur tani në parti. Do marrim opinion. Është shpejt për të bërë sondazhe. Pa u krijuar atmosfera dhe pa u orientuar debati është e kotë të bësh sondazhe”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste. (A2 Televizion)