
Qeveria e Bullgarisë përballet nesër me një mocion mosbesimi dhe ka gjasa që deputetët të rrëzojnë ekzekutivin e kryeministrit Kiril Petkov.
Shkak për këtë lëkundje të koalicionit, i cili u formua 6 muaj më parë me zotimin se do të luftojë korrupsionin endemik, u bë kontesti me Maqedoninë e Veriut.
Mocioni i mosbesimit u ngrit nga njëra prej partive përbërëse të koalicionit qeverisës, që kundërshton linjën e butë të Petkov ndaj Shkupit lidhur me lejimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në pa zgjidhur mosmarrëveshjet.
Sakaq, komisioni i politikës së jashtme i parlamentit të Bullgarisë, nesër do të shqyrtojë propozimin francez për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Maqedoninë e Veriut.
Në bazë të vlerësimeve do të njoftohet nëse Sofja do ta heqë veton e saj ose jo, gjë e cila ka bllokuar dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Më herët, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, paralajmëroi lajme pozitive për negociatat, por ky optimizëm duket se është shuar, ndoshta bashkë me të edhe qeveria e Bullgarisë. (A2 Televizion)