
Sektori fason dhe kompanitë e Call Center mbeten gjithmonë me dyer të hapura për punonjës. Rritja e kërkesave si dhe mbyllja e disa kompanive në Ukrainë, ka bërë që klientët europianë t’i hedhin sytë nga Ballkani për shërbime të ndryshme.
Xhovana ka përmbyllur studimet 5-vjeçare në degën e drejtësisë. Duhet të punonte në këtë fushë, por që kur ishte studente ka nisur të punojë në Call Center. Privati kërkon eksperiencë, ndërsa burokracitë e punësimit i marrin shumë kohë e pa rezultat. Për të jetuar ka zgjedhur rrugën më të thjeshtë të punësimit.
“Kam kërkuar punë në institucione, një student nuk mund të presë shumë gjatë për punë, pasi jeta në Tiranë kushton. Këtu hyra në punë për dy ditë, nuk mendoj të kërkoj punë në profilin tim pasi synimet i kam për t’u rritur në këtë sektor”.
Kompanitë telefonike janë gjithmonë në kërkim të punonjësve të rinj, shumica prej tëcilëve pas trajnimeve e shohin si profesion afatgjatë.
“Call center gjithmonë ka nevojë për punëtorë. Shumica vijnë të punojnë për 6 muaj, por 98% kanë mbi një vit punë dhe 60% më tepër se 4 vite, e kthejnë në profesion”.
Kërkesa për punë shfaq edhe sektori fason. Pandemia dhe lufta në Ukrainë mbylli shumë tregje europiane, klientët e të cilëve kanë hedhur sytë nga Shqipëria.
“Kemi nevojë për 15-20 mijë punonjës. Oferta është200%, ne nuk mund ta mbulojmë dot pasi nuk kemi kapacitete por jemi në kërkim vazhdimisht. Ukraina kishte mbi 200 punëtorë që prodhonin, tani klientët i janë kthyer Ballkanit për t’u furnizuar”.
Punësimi i emigrantëve nga Bangladeshi në këtë sektor nuk ishte zgjidhje sipas Zekaj. Filipinët dhe Vietnamezët janë eksperimenti i radhës, për të zëvendësuar fuqinë punëtore vendase. (A2 Televizion)