Skemat kombëtare, rriten përfituesit, por sektori kërkon më tepër para

Nga A2 CNN
18 Prill 2022, 18:36 | Sociale
Skemat kombëtare, rriten përfituesit, por sektori kërkon më

Ministria e Bujqësisë publikoi listat e fermerëve që përfitojnë nga skemat kombëtare të këtij viti.

Krahasuar me një vit më parë, ka një rritje të numrit të fermerëve me serra që do të mbështeten financiarisht, sikundër edhe të fermerëve të bimëve mjekësore dhe aromatike, të mbarështimit të bletëve, e po ashtu konstatohet rritje e përfituesve në blegtori.

Fondi total dedikuar bujqësisë është 3,2 miliardë lekë, më i larti në 30 vite. Atij i shtohen edhe 500 milionë lekë për skemën e naftës, që u paralajmërua nga ministrja gjatë Panairit të Bujqësisë. Kryetari i Sindikatës së Fermerëve, thekson vlerën e mbështetjes së këtij sektori, ku ende një pjesë e mirë e fermerëve nuk po përfitojnë dot: “Skema për serrat ishte e nevojshme, pasi 20% e serrave nuk janë mbjellë, por duhet të ishte fondi më i madh, pasi 1/3 e serrave nuk kanë aplikuar dot”. 

Përfituesit më të mëdhenj të këtij viti ishin blegtorët, ndërsa tregu është i etur për produkte cilësore vendase: “Vijon fenomeni i vijës së kuqe, ku nga 7 000 fermerë fitues, përfitojnë vetëm 3 000. Duhet më shumë mbështetje për blegtorinë”. 

Ndërkohë, nga skema e naftës janë mbi 50 000 fermerë që e marrin naftën me çmim të reduktuar. Kreu i sindikatës i bën thirrje Ministrisë së Bujqësisë që për skemat kombëtare të shmangen disa burokraci, njësoj si tek ajo e naftës, në mënyrë që fermerët përfitues të jenë më të shumtë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos