
Fakulteti i Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, ka zhvilluar për të dytin vit radhazi Panairin e Punës dhe Karrierës.
150 kompani që operojnë në fusha të ndryshme në territorin e Bashkisë së Durrësit kanë prezantuar ofertat e tyre në mjediset e Fakultetit të Biznesit, duke kërkuar që të punësojnë staf të ri dhe të kualifikuar.
Ndonëse është vetëm viti i dytë i këtij panairi, interesimi i studentëve ka qenë i lartë, ndërsa nga viti i kaluar janë punësuar një numër i konsiderueshëm studentësh.
Ndërkohë, njësitë hoteliere përgjatë bregdetit të Durrësit kanë ngritur shqetësimin se veçanërisht për periudhën e sezonit kanë mangësi në personel dhe se me gjithë përpjekjet për të rekrutuar punonjës vendas, me sa duket zgjidhja do të vijë nga punonjësit e huaj.
Tashmë, ky panair pritet të jetë i përvitshëm dhe një mundësi e mirë si për studentët që kërkojnë të punësohen, ashtu edhe për institucionet shtetërore dhe subjektet private që kërkojnë staf të kualifikuar. (A2 Televizion)