
Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, deklaroi se që kur është nisur puna nga afër me qeverinë e Kosovës, është rritur shumë volumi i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
“Kur kemi nisur punën nga afër me qeverinë e Kosovës, kemi pasur një volum shkëmbimesh tregtare 160 milionë euro. Sot, ky volum është 433 milionë euro. Kemi hyrë në zonën ku shifrat janë më serioze në krahasim me ato të mëparshmet. E dyta, sot në Shqipëri ka mbi 1000 subjekte biznesi nga Kosova. Investimet e Kosovës në Shqipëri, në vitin 2017 ishin 9 milionë euro. Në vitin 2021, 139 milionë euro. E fundit, fluksi i investimeve në vlerën më të lartë historike ka qenë 16 milionëshi i vitit 2018, ndërkohë që jemi 41 milionë euro në vitin 2021. I kemi të gjitha mundësitë për të shtuar investimet reciprokisht”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi edhe nga ministrat e Brendshëm të të dyja vendeve që të lehtësohet kalimi në pikat kufitare.
“I kujtoj ministrave të Brendshëm që në këtë sezon është e pajustifikueshme që të kemi sërish probleme dhe radhë të pafundme për shkak të kontrolleve një për një të makinave që vijnë drejt Shqipërisë dhe anasjellas”, tha Rama. (A2 Televizion)