
Një ditë para mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Prishtinë, kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin se tarifat doganore të Shqipërisë me Kosovën do të hiqen.
Kjo deklaratë e Edi Ramës erdhi pas një vizite që ai bëri në një fabrikë mielli në Kosovës. “Ne nuk duam që ta kemi pa tarifa për Ballkanin e Hapur e mos ta kemi me Kosovën. Ne kemi bërë një plan dhe do ta vëmë tani në lëvizje, do t’i heqim krejt tarifat doganore me Kosovën, do t’i heqim plotësisht. Dëshirën e kemi që të bëhet bilaterale me Qeverinë e Kosovës, por ne do ta bëjmë, ata kanë kërkuar më shumë kohë për ta analizuar. Kështu ne do t’i heqim tarifat për gjithë çfarë do vijë nga Kosova, përjashto atë të skanimit se ajo është e trashëguar dhe s’lëviz, por në gjithë pjesën tjetër më nuk do të ketë më tarifa për të gjithë ata që do eksportojnë nga Kosova në Shqipëri.
Anasjelltas duhet ta bëjë qeveria e Kosovës, por nëse qeveria e Kosovës do më shumë kohë për ta studiuar, ne do ta bëjmë gjithsesi. Sepse ne nuk duam që ta kemi të hapur pa tarifa për Ballkanin e Hapur e mos ta kemi me Kosovën, është e pakuptimtë”, ka deklaruar Rama. (A2 Televizion)