
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, u ka bërë apel qytetarëve që të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve shëndetësore në lidhje me mbajtjen e maskës që do të hyjë zyrtarisht në fuqi nga e enjtja. Në një deklaratë për mediat, Veliu u shpreh se kjo bëhet me qëllim për të shmangur karantinën, ndërsa theksoi se Polica do të jetë tërësisht e angazhuar të respektojë udhëzimet. Sipas tij, kushdo që i shmanget udhëzimeve do të përballet me ligjin.
“Nga e enjtja çdo qytetar do të mbajë maskën e cila është në përputhje me udhëzimet e autoriteteve të shëndetësisë. Mbajtja e maskës ul rrezikun e infeksionit.
Qëllimi kryesor është të mbrojmë popullatën nga rreziqet që paraqet virusi. Me këtë masë synohet edhe të shmangim një mbyllje si pranvera e këtij viti.
Policia do të angazhohet me të gjitha strukturat e saj për të zbatuar udhëzimet.
Ftoj qytetarët që të respektojnë masat dhe të mbështesin autoritetet policore. Në çdo rast konstatimi të shmangies së rregullave, policia do të reagojë në përputhje me ligjin e detyrat funksionale. Qëllimi ynë jo ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e shëndetit të tyre.
Duke besuar se qytetarët do të jenë në krahun tonë, bëj thirrje që të tregojmë se vetëm duke respektuar rregullat mund të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të vrusit”. (A2 Televizion)