Nga hixhabi në lakuriq në mbështetje të protestës, aktorja iraniane provokon regjimin e Ajatollahut

Nga A2 CNN
12 Tetor 2022, 12:32 | Kapur në kamera

Protesta e filluar në Iran pas vdekjes së Mahsa Aminit, vajzës së arrestuar fillimisht për veshje jo konforme ndaj interpretimit të Kuranit, po përhapet gjithmonë e më shumë në atë vend, duke rrezikuar pushtetin pothuajse absolut të Ajatollahut Khamenei.

Mbështetje për protestën e grave iraniane ka pasur në çdo cep të botës, veçanërisht me gjestin simbolik të prerjes së flokëve.

Por 30-vjeçarja Elaaz Norouzi, aktore iraniane e njohur edhe në Perëndim me pjesëmarrje në filma si “Sacred Games” ka shkuar më tej, duke shkaktuar jo pak polemika jo vetëm në vendlindje, por edhe në botën myslimane.

Norouzi, që ka një të kaluar si modele dhe banon aktualisht mes Indisë dhe Gjermanisë, postoi një video ku shfaqet fillimisht me veshjen karakteristike hixhab, por pastaj fillon të zhvishet ngadalë nga rrobat e shumta që ka të veshur, deri sa mbetet pothuajse lakuriq.

“Çdo grua, kudo në botë, duhet të ketë të drejtën të veshë çka dëshiron dhe kudo që dëshiron ta veshë”, ishte mesazhi i saj bashkëngjitur me pamjet provokuese.

Aktorja rrëfeu që edhe ajo është ndalur nga policia iraniane disa vite më parë për të njëjtën arsyeje, për t’u “riedukuar", siç është termi burokratik që përdoret nga regjimi i Teheranit për torturat dhe abuzimet ndaj vajzave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos