Për shkak të përmbytjeve të mëdha që ndodhën në Florida, si pasojë e uraganit Ian, një peshkaqen kureshtar është filmuar duke notuar në oborrin e një shtëpie, në Hendry Creek. Fillimisht video e përhapur në rrjet u quajt një montazh, por pas verifikimeve të ndryshme rezultoi se ishte e vërtetë.
Vetëm një ditë nga publikimi, video ka marrë 12 milionë shikime në Twitter. Pamjet u filmuan nga Dominic Cameratta, banor i zonës, i cili nuk u besoi fillimisht syve. “Nuk e kuptoja çfarë ishte, dukej si peshk”, tha ai për mediat lokale. “Por pasi afrova kamerën, të gjithë thanë se është peshkaqen”.
Video mbërriti para syve të ekspertëve, që konfirmuan praninë e atij që u pagëzua nga vendasit si “peshkaqeni i rrugës". “Duket se është një peshkaqen i vogël, këlysh”, tha George Burgess, ish-drejtor i Muzeut të Historisë së Natyrës në Florida. Megjithatë, ka ende dyshues mes ekspertëve. “E vështirë ta thuash me bindje të plotë se çfarë është”, shkroi në Twitter Dr. Neil Hammerschlag, drejtor i programit për ruajtjen e peshkaqenëve në Universitetin e Majamit.
Uragani Ian ka shkaktuar disa viktima dhe konsiderohet si më i madhi që ka goditur Floridën ndonjëherë, por mister mbetet fakti sesi një peshkaqen përfundoi në oborrin e një shtëpie nga Gjiri i Meksikës. Yannis Papastamatiou, një biolog detar që studion sjelljen e peshkaqenëve në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës, thotë se ata e ndjejnë se uragani po afrohet për shkak të uljes së presionit dhe u afrohen ujërave të cekëta. (A2 Televizion)