Nga i paragjykuar në model zhvillimi, arsimi profesional po ndryshon të ardhmen e të rinjve

Nga A2 CNN
17 Mars 2023, 16:52 | Aktualitet

Arsimi profesional po fiton terren në Shqipëri, teksa gjithmonë e më shumë të rinj po zbulojnë avantazhet e një gjimnazi që krahas arsimit të përgjithshëm, të përgatit për tregun e punës me aftësi praktike dhe të dobishme për një zanat apo profesion specifik. Qeveria e Zvicrës dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, po punojnë prej vitesh për të ndihmuar vendin të reformojë sistemin e tij të arsimit profesional, duke e njohur si një shtyllë për zhvillimin ekonomik. Me mbështetjen e tyre, Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në rritjen e cilësisë dhe rëndësisë së këtyre programeve. Edhe pse ka akoma shumë rrugë përpara. Arsimi profesional ka potencial për të luajtur një rol të madh në tkurrjen e fenomenit të emigracionit mes të rinjve. Shumë shqiptarë lënë vendin në kërkim të perspektivave më të mira për punë, shpesh duke cituar mungesën e mundësive brenda vendit. Por me ofrimin e aftësive dhe njohurive praktike, arsimi profesional mund të ndihmojë në krijimin e këtyre mundësive dhe inkurajimin e të rinjve që të qëndrojnë në Shqipëri. Pasioni është një nga arsyet kryesore që të rinjtë zgjedhin shumë prej degëve profesionale si teknologjia e informacionit, turizmi, gatimi, apo rrobaqepësia dhe tekstili. Dhe nëse këto pasione shfrytëzohen për të ndërtuar diçka në Shqipëri, ekonomia dhe të gjithë ne, mundet vetëm të përfitojmë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos